Lajme

Një muaj paraburgim për kosovarin që u arrestua në kufi

04/19/2024 19:39
nga:Y I

Sadik Durakut nga fshati Demjan i Gjakovës i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd, nën dyshimin se ka kryer krime lufte gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Duraku që është edhe shtetas britanik u arrestua të mërkurën, gjatë një aksioni të policisë serbe në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, Batrovci.

Përveç tij, atë ditë u ndaluan edhe disa persona tjerë, përfshirë disa zyrtarë policorë

Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, Sadik Durakut nga fshati Demjan i Gjakovës. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme vendimi është marrë sot, pasi Prokuroria për Krime Lufte në Beograd, po pretendon se Duraku ka kryer krime lufte.

Ai u arrestua të mërkurën në kufirin Kroaci-Serbi.

“Sipas njoftimit të pranuar nga avokati mbrojtës dhe familjarët e z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës, nga fshati Damjan, Komuna e Gjakovës, (i cili ka po ashtu edhe shtetësi të Britanisë së Madhe), është arrestuar më 17 prill 2024, në Vendkalimin Kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci. A i ka qenë duke u kthyer në Republikën e Kosovës me veturën e tij personale. Pas arrestimit, z. Duraku i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999, ku pastaj është dërguar në Beograd në mbajtje edhe për 48 orë, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Express.

Tutje, ata thonë se Duraku nuk është në gjendje të mirë shëndetësore sipas njoftimit nga familjarët.

“Z. Duraku, sot, e Premte, 19 prill 2024, në ora 9:00 ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Sipas avokatit mbrojtës, Gjykata ka marrë vendim me të cilin atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Familjarët e z. Duraku kanë theksuar se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe avokati mbrojtës ka konfirmuar se atij gjatë kohës së mbajtjes i është dhënë nga autoritetet e burgut terapia përkatëse”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.