Lajme

Një model tjetër për Asociacionin, opozita: Nuk kemi informacione, Kurti nuk ka bërë publike asgjë

06/02/2022 18:27
nga:Q R

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është rikthyer sërish temë diskutimi. Raportuesja  për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, deklaroi se Qeveria e Kosovës ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e mohoi një gjë të tillë, duke potencuar se nuk ka asnjë plan apo model për Asociacionin.

Lidhur me këtë, Time Kadrijaj nga radhët e AAK-së, vlerëson se për çështjen e Asociacionit duhet të respektohet verdikti i Gjykatës Kushtetuese.

“Ne si Aleancë mendojmë se për çështjen e Asociacionit duhet të respektohet Kushtetuta e vendit dhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese”, deklaron ajo për GazetBlic.

E pyetur nëse kanë informacione se për çfarë propozimi po flet Von Cramon, Kadrijaj thotë se nuk kanë informatë të tillë, pasi që, sipas saj Kurti nuk ka bërë publike asgjë.

“Nuk e kemi një informatë të tillë sepse Kurti nuk e ka thënë, as nuk  e ka publikuar“, deklaron Kadrijaj.

Nga ana tjetër, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha shkurt për GazetaBlic se nuk ka informacione lidhur me deklaratat e Von Cramon.

“Nuk kam informacion”, deklarona ajo

Derisa, Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se nuk ka transparencë për këtë temë por vetëm keqkuptime dhe interpretime të pasakta.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk është në dijeni për risi të tilla për një temë shumë të përfolur, por tash sa kohë pa asgjë konkrete. Duket se kohëve të fundit për këtë çështje konkretisht flitet rrallë edhe më rrallë ato bëhen të ditura. Për rrjedhojë ka shumë keqkuptime edhe më shumë mundësi të interpretimeve të pasakta”, thotë zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu për Gazeta Blic.

Ai kërkon që Qeveria të jetë transparente lidhur me këtë çështje, pasi as opozita e as qytetarët nuk kanë mundësi të informohen përderisa nuk ka transparencë.

“Prandaj ne nuk mund të shtojmë asgjë konkrete dhe përmbajtësore në këtë drejtim, përveçse të kërkojmë prej Qeverisë që të jetë më transparente. Qeveria do të duhej të ishte më transparente, sidomos për këtë çështje të rëndësishme që ne si opozitë, por as edhe qytetarët të mos informohen nga palë të ndryshme dhe pjesërisht. Kjo transparencë është e munguar, për fat të keq edhe në shumë sfera tjera”, potencon Abdullahu për Gazeta Blic.

Kujtojmë se, Raportuesja e BE-së për Kosovën, Viola Von Cramon, ka treguar se Qeveria e Kosovës ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo e ka kumtuar këtë gjatë një interviste në KTV.

Një model tjetër për Asociacionin, Kurti: Nuk kam ide për këtë, boll po më del Asociacioni i Komunave të Kosovës

Formimi i Asociacionit, Miftaraj tregon propozimin që mund ta bëjë Qeveria