Lajme

“Një maji i zakonshëm në Gërmi, me tupana e birra” – Qytetarët tregojnë se a do të festojnë apo do të protestojnë

04/28/2023 17:38
nga:Astrit Gashi

1 maji është Dita e Punëtorit, e cila festohet për çdo vit dhe cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.

Qytetarët e Prishtinës, të pyetur nga GazetaBlic se a duhet të festohet apo protestohet me 1 maj, kanë shprehur qëndrime të ndryshme.

Disa prej tyre theksuan se as nuk do të festojnë, e as të protestojnë, qytetarë tjerë theksuan se padyshim se duhet protestuar, duke pasur parasysh gjendjen aktuale në Kosovë, por kishte edhe të tjerë, që u përgjigjën se padyshim se duhet festuar.

E pyetur se a do të festojë apo do të protestojë, një qytetare u përgjigj se “ajo do të qëndrojë në shtëpi.

Një qytetar theksoi se për 1 maj duhet të festohet.

“Duhet të festohet. Do të dal në Gërmi, me bashkëshorten. Festa e 1 majit është e zakonshme, ka qenë çdo vit, edhe në kohën e Jugosllavisë. Nuk ke çka del me bo protesta, kjo është budallaki. Krejt të shkojmë në Gërmi me tupana. ”, tha ky qytetar.

Mendim tjetër kishte një qytetar tjetër i Prishtinës, i cili theksoi se me 1 maj duhet të protestohet.

“Papunësia është tejet e lartë. Në gjithë botën dalin protestojnë, jo vetëm te na”, tha ky qytetar.

I të njëjtit mendim ishte edhe një qytetar, i cili theksoi se 1 maji shënohet me protestë.

“Shenohet me protesta, secili punëtor kërkon të drejtat, posaqërisht në këtë kohë, kur kemi pakënaqësi të madhe për pagat e shërbyesve civil, për shtesat, duhet të protestohet dhe të bëhet me dije se duhet të realizohen të drejtat e punëtorëve”.

Një qytetar theksoi se gjithsesi se duhet të festohet, pasi që ka tashmë sipas tij 50 vjet që po protestohet dhe nuk po fitohet asgjë.

Një tjetër ishte i mendimit se njerëzit duhet të festojnë nëse i kanë kushtet e përkryera dhe të protestojnë nëse nuk i kanë.