Sporti

Nis procesi ndaj Dani Alves, Prokuroria kërkon 12 vjet burg!

02/05/2024 14:50
nga:E K

Nisi mëngjesin e kësaj së hëne në Gjykatën e Barcelonës, procesi për akuzat për përdhunim ndaj Dani Alvesit. Ish-futbollisti akuzohet për dhunë seksuale nga një 23-vjecare. Me ngjarjet që kanë ndodhur në natën mes 30 dhe 31 dhjetorit 2022, në diskotekën Sutton të Barcelonës.

Pak ditë më pas, Dani Alves u paraqit në polici për të dhënë deklaratën e tij. Por u arrestua dhe u transportua në burgun katalanas: Brinas 2. Tani pas thuajse 13 muajsh po përballet në një proces me palën akuzuese, që kërkon ndaj tij 12 vite burg. Ndërsa prokuroria ka kërkuar 9 vite, përveç ndëshkimeve të tjera ekonomike.

Deri në fund pala mbrojtëse u përpoq të gjente një akord me viktimën, por pa sukses. Në këtë mënyrë ish-lojtari i kombëtares së Brazilit u paraqit në gjykatë, ku bashkë me të ishte edhe nëna e tij, Lucia. E cila në media të ndryshme është akuzuar se ka shpërndarë në rrjete sociale foton e viktimës, diçka që ka përkeqësuar figurën e të birit.

40-vjeçari ishte në vështirësi që më parë, duke qenë se në marrjet në pyetje ka ndryshuar versionet mbi ecurinë e ngjarjeve atë natë plot 4 herë. Herën e parë deklaroi se nuk e kishte parë kurrë më parë “viktimën”.

Debati gjyqësor pritet të zgjatë tri ditë me deponimet e 28 dëshmitarëve, me avokatët e Dani Alves që kanë kërkuar anulimin e çështjes dhe lirimin e menjëhershëm. Pasi sipas tyre gjykimi është njollosur nga shpërndarja e lajmeve, shumë prej të cilave të rreme duke krijuar kështu një gjykim paralel në dëm të brazilianit në opinionin publik.

Dhe njëkohësisht duke shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë. Mbrojtja gjithashtu ka kërkuar që Dani Alves të deponojë i fundit në radhë, pas vajzës në fjalë dhe jo i pari, siç ishte parashikuar fillimisht.