Lajme

Nga Vetëvendosje të “prerë”: Askush s’mund të na kushtëzojë për Asociacionin

12/12/2021 13:35
nga:Gazeta Blic

Lëvizja Vetëvendosje është e palëkundur në qëndrimin kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nëpartinë e kryeministrit Albin Kurti, thonë se pavarësisht presioneve ndërkombëtare s’do të pranojnë asnjë kushtëzim, megjithëse sipas tyre po tentohet të ndërlidhet liberalizimi i vizave me Asociacionin.

Nga partia në pushtet theksojnë se nuk do të ngutën për dialogun Kosovë-Serbi, pasi konsiderojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq po tenton të shtyjë përpara agjendën e tij para zgjedhjeve parlamentare atje.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyeseni, thotë për KosovaPress, se kushtëzimet e BE-së dhe Serbisë nuk do të sjellin progres në dialog.

“Ne po kushtëzohemi edhe një herë tjetër me Asociacionin duke u thirr me atë se po e bëtë Asociacionin do të shkoni drejt liberalizmit të vizave, por nuk duhet të harrojmë këtu se vazhdimisht jemi kushtëzuar me liberalizmin e vizave. Ai nuk ka ndodhë as atëherë kur u kushtëzuam me demarkacion, kështu që nuk duhet ta pranojmë një tjetër kushtëzim, përderisa ne kemi shënuar rezultatet pozitive sa i përket përmbushjes së kritereve. Nëse jemi në rregull që i kemi pambushur kriteret për t’u bërë liberalizmi i vizave, atëherë pse duhet të na kushtëzojnë me një tjetër çështje që është asociacioni e aq më tepër që po flitet për një asociacion një etnik që është i dëmshme, i rrezikshëm dhe që ndihmon shumë në defunksionlizimin e shtetit tonë, kështu që ne nuk mund ta pranojmë as këtë kushtëzim as ndonjë tjetër që vjen karshi një teme që ne kemi arritur t’i përmbushim të gjitha kriteret e kërkuara”, thotë ajo.

Deputetja e mazhoracës thotë se ekzekutivi është i gatshëm për të bërë agjendë të përbashkët shtetërore për dialogun me spektrin politik, por jo duke u ngutur dhe duke iu përshtatur interesave të Serbisë.

“Ne jemi për të bërë një agjendë të përbashkët që shërben interesave të shtetit tonë fillimisht edhe që Serbia dakordohet me këtë agjendë dhe të njëjtën ta bëjmë ne me agjendën që bëjnë ata. Por nuk jemi të shtyjmë përpara agjenda që I konvenojnë vetëm njërës palë e jo tjetrës aq më tepër agjenda që e dëmtojnë integritetin, sovranitetin politikat e njërës palë në këtë rast Kosovës. Unë konsideroj që ne nuk do duhej të ngutemi dhe ta shfrytëzojmë këtë kohë para zgjedhjeve, përkundrazi as nuk është regres sepse nuk jemi duke bërë regres. Përkundrazi jemi duke tregu një qasje krejt ndryshe që jemi të interesuar të shkojmë drejt një progresi që do të shënohej në dialog duke diskutuar për çështje që palët dakordohen e jo duke përfunduar për çështje për të cilat shkojnë në interesin e njërës palë. Po tregojmë se dëshirojmë të trajtohemi të barabartë, po tregojmë që jemi të përgatitur dhe s’jemi ajo pala e dobët që ka qenë në të kaluren në dialog, që ka qenë e gatshme të nënshkruaj pafund marrëveshje prej të cilave ka përfituar Serbia e jo Kosova”, shton deputetja e pozitës.

Madje ajo nuk i sheh problematike as përplasjet e fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

“Nuk e shoh që doli një dallim sepse këto qëndrime I kemi parë vazhdueshme. Dmth Borrell ka qenë vazhdimisht një shtytës I ngritjes së çështjes se asociacionit brenda dialogut me Serbinë ndërsa pala kosovare vazhdimisht ka thënë se nuk dëshirojmë të flasim për këtë temë. Kështu që unë nuk e pashë si diçka të re por si një konfirmim të kryeministrit Kurti që për asociacionin një etnik ne nuk do të flasim, me të cilin nuk u pajtua Borrel që kërkoi zbatimin e tij. Por kjo nuk do të thotë që ne do të bëjmë ashtu sepse ne jemi duke u përfaqësuar prej një delegacioni që i ka prioritetet e veta dhe ka një qëllim që I është rikthyer fazës së re të dialogut”, thekson ajo.

Deputetja Kryeziu-Hyseni, e cila është edhe anëtarë e kryesisë së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, foli për KosovaPress edhe për koalicionet e mundshme në ekzekutivin atje.

“Ne nuk kemi vendosë për këtë gjë akoma, është diçka që trajtohet brenda grupit punues në qendrën e Gjilanit në koordnim me nivelin qendror të VV-së në Prishtinë por edhe në koordinim me kryetarin ne do të shohim cila është më e mira për qytetin e Gjilanit. Kështu që nuk ka deri më tani një vendim të prerë se çfarë do të ndodhë, sigurisht do të jemi të hapur të flasim me subjektet e partive politike duke përjashtuar LDK-në megjithatë deri më tani nuk ka një vendim ose qëndrim që thotë se do bëjmë koalicion me këtë apo atë subjekt”, thotë ajo.