Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se materiali i pasuruar në Iran duhet të hiqet, qoftë nëpërmjet një marrëveshjeje ose “me mjete të tjera”. Ai theksoi se fushata kundër Iranit nuk ka mbaruar dhe se ka ende punë përpara. “Ende ka material të pasuruar në Iran dhe, siç tha Trump, ai duhet të hiqet. Ose do të dalë nëpërmjet një marrëveshjeje ose do të dalë me mjete të tjera”, tha Netanyahu në fjalimin e tij.
Netanyahu foli gjithashtu për qëllimet e supozuara të Iranit për të mbrojtur objektet e tij nga sulmet. “Khamenei donte të fshihte si prodhimin e raketave ashtu edhe prodhimin bërthamor thellë, thellë nën një mal të lartë, në mënyrë që as avionët B-2 të mos mund ta arrinin atë”, tha ai.
Duke folur për bashkëpunimin ushtarak, ai theksoi rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara. “Nëse do t’ju kisha thënë një vit më parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fuqia më e fuqishme në botë, do të luftonin përkrah nesh, krah për krah për gati 40 ditë kundër një armiku të përbashkët, kush do ta kishte besuar?” tha ai. “Por e gjithë kjo ndodhi sepse ne iniciuam, vepruam, sulmuam”, shtoi Netanyahu.
Duke komentuar situatën në kufirin me Libanin, kryeministri izraelit konfirmoi krijimin e një zone sigurie. “Ne kemi krijuar një zonë sigurie prej 8 deri në 10 kilometrash”, përfundoi ai.
Ndërkaq, në një postim në rrjetin social X, Netanyahu tkritikoi ashpër edhe Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke e akuzuar atë për “favorizim” të Iranit dhe duke e lidhur atë me, siç pretendon ai, “masakrën e qytetarëve kurdë”.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur janë duke u zhvilluar negociata midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, si dhe pas një armëpushimi të shpallur në një pjesë të rajonit.


