Lajme

Në Gjilan nis rrënimi i objekteve ne qendër të qytetit, Hyseni: Po e realizojmë projektin 18 milionësh të Bulevardit

11/11/2025 09:28
nga:N K

Në ditën e parë të mandatit të dytë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e nis mandatin e dytë me rrënimin e objekteve të vjetra në qendër të qytetit.

Atje kanë nisur punimet për Bulevardin e Gjilanit, me vlerë investimi prej 18 milionë eurosh.

Në kuadër të këtij projekti ka filluar rrënimi i objekteve të vjetra në qendër të qytetit, ku do të ndërtohet objekti i ri i administratës komunale me sipërfaqe prej rreth 9 mijë metrash katrorë.

“Rrënimi i objektit të administratës dhe i objekteve përcjellëse, pas vendimit të shumëpritur nga Instituti për Trashëgimi Kulturore, është një moment historik për Gjilanin tonë,” deklaroi kryetari Hyseni, duke theksuar se nisja e punimeve në Bulevard përkon me fillimin e mandatit të tij të ri.

Projekti i Bulevardit përfshin 450 metra gjatësi, rreth 30 mijë metra katrorë hapësirë publike, 500 vende parkimi nëntokësore, si dhe ndërtesën moderne të administratës komunale.

Hyseni tha se gjatë këtij mandati do të vazhdojë me intensitet më të lartë realizimin e projekteve të nisura, ndërsa projektet e reja do ta transformojnë dhe do ta bëjnë edhe më të bukur pamjen e qytetit.