Aktivisti shqiptar nga Komuna e Medvëgjës, Haki Emini, ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sot përmes një postimi në Facebook, foli për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për të cilët thanë se janë përkrahës.
Kurti u shpreh se shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës nuk po lihen në harresë e as të pambrojtur.
Por, me këtë nuk po pajtohet aktivisti Emini.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, ka shprehur pakënaqësinë ndaj Kurtit.
Emini thotë se nga 3 milionë euro që i përmend Kurti, nuk e kanë marrë asnjë cent dhe nuk dihet ku kanë përfunduar ato mjete.
“Dua t’i them disa fjalë për postimin në Facebook të kryeministrit të Kosovës, z.Albin Kurti. Sa i përket ndihmave prej tre milionë euro, shqiptarët e Medvegjës nuk kanë marrë asnjë cent, nga kjo ministri i janë dërguar komunës së Medvegjës por komuna nuk ka ndarë mjete financiare që flet z.Kurti, nga përfaqësuesit shqiptarë në kuvendin komunal edhe pse janë bërë përpjekje, duke iu drejtuar organeve kompetenteve të komunës së Medvegjës, nuk kanë marrë përgjigje me gojë as me shkrim. Ku kanë përfunduar ato mjete financiare të z.Kryeministër”, shprehet aktivisti.
Po ashtu, ai thotë se as nxënësve e studentëve nuk u janë dhënë mjete financiare.
“E dyta, njashtu Kurti flet për ndihmat që u janë dërguar nxënësve (flas për Medvegjë) asnjë laps fletore nuk u janë dërguar nxënësve por asnjë bursë studentëve nuk u janë dërguar për studentët e Medvegjës”, thotë Emini për Gazeta Blic.
Ai ka përmendur maltretimet nëpër aeroporte e adresat e pasivizuara, teksa tregon se i ka dërguar letër kryeministrit Kurti, por që s’ka marrë përgjigje, duke shtuar se ai po flet të pavërteta në Facebook.
“Në postimin e zotëri Kurtit, ai nuk flet fare pse shqiptarët që jetojnë në shtetet perëndimore kthehen maltretohen në aeroportet e Zvicrës, kur vet zotëri Kurti në KB flet për 4200 adresa të pasivizuara, kurse iu dërgon depesha kompanive ajrore, mos të na mundësojnë të fluturojmë në Aeroportin e Prishtinës. Shumë shqiptarë janë kthyer prej aeroportit të Gjenevës sepse nuk kemi letërnjoftime valide të Serbisë, vetëm pasaporta me MUP Beograd. Rasti konkret i familjes sime. Për këtë diskriminim, për këtë vendim të qeverisë Kurti ju kam drejtuar me një letër të hapur përmes mediave kosovare, gjithashtu dhe kryetarja e komitetit të Helsinkut të drejtave të njeriut, Sonja Biserko i është drejtuar Kurtit dhe ai as që i është përgjigjur lutjes së saj. Po ashtu, edhe avokati im i është drejtuar z.Kurti me një lutje që të na lejojë të futemi në Kosovë sepse kemi lidhje familjare me Kosovën, por kot, nuk ka përgjigje nga z.Kurti, kurse në Facebook flet gjëra të pavërteta, sidomos sa i përket shqiptarëve të Medvegjës!!!”, thekson Haki Emini.
Ai tregon po ashtu rastin e maltretimit të bashkëshortes së tij në Aeroportin e Prishtinës, duke potencuar se shqiptarët që jetojnë në perëndim janë futur në geto mes Serbisë e Kosovës.
“Para disa muajsh, gruaja ime ka shkuar përmes aeroportit të Gjenevës në Prishtinë për ta varrosur nënën, tri orë është maltretuar nga policët e aeroportit të Prishtinës dhe shumë e shumë tjerë medvegjas që jetojnë në Zvicër dhe nuk kanë letërnjoftime të Serbisë pasi u është pasivizuar adresa. Ne shqiptarët e Medvegjës që jetojmë dhe punojmë në perëndim jemi të futur në geto, si nga Serbia dhe nga Kosova”, shton ai.
Emini po ashtu thotë se për të ardhur në Kosovë duhet të vijnë përmes Beogradit, sikur të jenë siç thotë ai “terroristë të Radoiçiq”.
“Ne duhet të udhëtojmë përmes Aeroportit të Beogradit për të hyrë disi në Kosovë, sikur jemi terroristët e Radoiçiqit!!! Dhe për fund, pse z.Kurti ndihmën për Medvegjë e dërgon përmes xhirollogarisë së komunës së Medvegjës, kurse Preshevës iu jep në dorë një parti politike e cila as nuk qeverisë komunën e Preshevës???”, përfundon Haki Emini nga Medvegja, në reagimin e tij drejtuar kryeministrit Kurti.
Më poshtë dhe letra e tij dërguar kryeministrit Kurti, në tetor të vitit 2023.



