Lajme

Ndërhyrjet shqetësuese në pamje nga moshat shumë të reja, sociologia Ymeri: Nuk janë të vetëdijshëm për pasojat

05/06/2024 19:40
nga:N K

Në kohën e sotme, grupmoshat e reja përjetojnë ndryshime të mëdha në përceptimin e tyre të vetvetes dhe botës së tyre në përgjithësi.

Lidhur me këtë, në një prononcim për GazetaBlic, ka folur sociologia Flakë Ymeri, e cila tha se këto ndryshime nga këto grupmosha bëhen si rezultat i dëshirës që të duken më në trend me të rriturit.

“Tani kjo grupmoshë po fillon të merr një pamje jo krahas moshës duke dashur që të duken më të rritur dhe në trend me të rriturit, gjë e cila ndikon jo mirë në të ardhmen e tyre duke i munguar fëmijëria dikur dhe duke mos u ndier të plotësuar me veten e vet, pastaj mund të kenë edhe gjendje depresive me veten”, deklaroi ajo.

Tutje, ajo tregon për ndikimin shoqëror dhe rolin e familjes.

“Shoqëria në kohët e sotme është thelbi i ndikimit tek kjo kategori, pasi masa e bën të veten dhe duke qenë të pranueshëm për grupin ata duhet t’i binden ndikimit shoqëror”, tha Ymeri.

“Familja ka një rol shumë kyç dhe të vështirë po aq sa të rëndësishëm që gjërat i shohin ndryshe në raport me fëmijët e tyre por prindërit po duken të jenë tolerant në raport me pamjen e fëmijëve të tyre”, vazhdoi tutje ajo.

Po ashtu, sociologia foli edhe për ndryshimin e interesave të këtyre grupmoshave në krahasim me një dekadë më parë.

“Tashmë edhe aktivitet e fëmijëve janë krejtësisht ndryshe, një pjesë e fëmijëve janë të angazhuar në aktivitete kreative që është shumë e mirë në aspektin social dhe shëndetësor, por për një pjesë tjetër të shoqërisë që i mungojnë kushtet, infrastruktura për t’i realizuar apo përmbushur nevojat”, u shpreh ajo.

Më tej, Ymeri tregon se sa ndikim kanë teknologjia dhe mediat sociale në krijimin e identitetit të tyre.

“Ndikimi i teknologjisë është përtej secilit standard, pasi tashmë është krijuar varësi se pasi tashmë rrjetet sociale kanë pushtuar botën dhe gjithçka, tashmë edhe jeta po zhvillohet aty dhe nuk po ka mundësi që të rinjtë të largohen nga kjo bota teknologjike sa ka ndikim pozitiv, po aq negativ”, tha ajo.

Për në fund, sociologia përmendi edhe gjendjen psikologjike të tyre.

“Gjendja psikologjike mund të rëndohet në të ardhmen, pasi nuk mund të jenë të vetëdijshëm për pasojat dhe pastaj pas një kohe mund të jenë edhe të ndikueshëm nga kjo jeta teknologjike dhe në ndikimin e shëndetit mendor mund të jetë i rënduar nga ato të cilat mund të mbesin dhe mund të çojnë në vetëlëndime dhe mendime negative, por ne si shoqëri duhet të kontribuojmë që të luftojmë këtë fenomen”, përfundoi sociologia Flakë Ymeri./Gazeta Blic/