Sporti

Ndalet edhe Thiaw, dëmtohen 5 nga 6 qendërmbrojtësit e Milanit

11/29/2023 11:00
nga:Mergim Rreci

Humbja me Dortmundin ka lënë Milanin me një këmbë jashtë Champions League, teksa trajneri Stefano Pioli do të duhet të bëjë llogaritë edhe me dëmtimet e shpeshta.

Kështu mbrëmjen e të martës u ndal mbrojtëzi gjerman Thiaw, i cili shfaqi një problem muskulor dhe paraprakisht dyshohet se do t’i duhen disa javë për t’u rikuperuar.

Thiaw është qendërmbrojtësi i pestë i Milanit që dëmtohet, nga 6 të tillë që Pioli ka në dispozicion, pasi më herët janë ndalur Caldara, Kalulu, Kjaer e Pellegrino, të cilët pritet të rikthehen mes dhjetorit dhe marsit.

Aktualisht Pioli ka në dispozicion vetëm Fikayo Tomorin dhe shpreson të rikuperojë Kjaer brenda mesit të dhjetorit, teksa mbetet për t’u parë se cilin futbollist do të përshtatë në krah të anglezit.

Ndaj Dortmundit u aktivizua Krunic, por një opsion mund të jetë edhe Calabria, për t’i lënë vendin Florenzit në të djathtë, ose i riu Simiç, që ka cilësi, por jo eksperiencë.

Natyrisht një moment aspak i mirë për kuqezinjtë, që përveç rezultateve jo pozitive, duhet të bëjnë llogarita edhe me dëmtimet e panumërta, të cilat kushtëzojnë jo pak paraqitjen e skuadrës në fushë.