Lajme

Ndahet nga jeta “Nona Tirona”, bashkëshortja e Selman Stërmasit

04/01/2023 13:59
nga:Y I

Bashkëshortja e futbollistit të madh Selman Stermasi, Nezihat Stermasi është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 102-vjeçare.

Nisur dhe nga profesioni i të shoqit, e ndjera njihej si tifozja më e flaktë e Tiranës deri në ditën e fundit të jetës.

E njohur si “Zonja Tirona”, Nezihat Stërmasi jetoi gjithë jetën e saj si mishërim i femrës tiranase. Ajo njihej si e palodhur, mikpritëse, e dashur, përherë buzagaz dhe ka pritur e përcjellë me mijëra qytetarë, futbollistë, njerëz që kanë jetuar në të njëjtën kohë me Selman Stermasin gjatë gjithë këtyre viteve.

Ajo ishte vetëm 14 vjeç kur e njohu legjendën bardhë e blu në kohën kur ai ishte kampion absolut i Shqipërisë me Tiranën në futboll, por dhe në atletikë. Pas fejesës 3-vjeçare zonja Nezihat dhe zoti Selman u martuan më 1939.

Dasma e Selmanit me Nezihatin pa mëdyshje është nga të parat dasma që është filmuar me video në Shqipëri. Paja e Nezihatit ishte porositur e gjitha për merak në Vjenë tek i vëllai Maliq Petrela, i cili studionte atje asokohe. Në vitin 1940 Nezihati u bë nënë e një vajze, të cilës iu dedikua me gjithçka mbarte shpirti saj rinor. Në këto vite, Selmani ishte në kulmet e karrierrës si trajner dhe i kishte dhuruar futbollit italian mjeshtra si Lushta e Kryeziu.

Zonja shekullore e Tiranës mbylli sytë sot natyrialisht. Për të gjithë ata që duan ti bëjnë nderimet e fundit, varrimi do të bëhet nesër në 2 prill nga rezidenca “Alba” në orën 12:00.