Pas drejtorit sportiv Hasan Salihamidzic, trajneri Julian Nagelsmann gjithashtu raportoi këtë të premte se kishte marrë kërcënime me vdekje për shkak të eliminimit të ekipit nga Champions League nga Villarreali.
Nagelsmann tha se mori 450 mesazhe të tilla në Instagram pas përfundimit të lojës, përcjell GazetaBlic Sport.
“Unë përballem mirë me kritikat e Karl Heinz Rummenigge, por ndoshta jo aq mirë me 450 kërcënimet me vdekje që kam marrë në Instagram. E di që jam gjithmonë subjekt i kritikave, por ndoshta 450 është paksa shumë. Nëse njerëzit duan të më vrasin, kjo është një gjë, por kur më sulmojnë familjen time, nënën time, për shembull, që nuk i pëlqen as futbolli, nuk mund ta kuptoj. Sapo e fikin televizorin, njerëzit harrojnë çdo mirësjellje. Dhe mendojnë se kanë të drejtë, kjo është pjesa më e keqe”, denoncoi ai, duke theksuar se çdo javë merr mesazhe të tilla “fito ose humb”, tha ai.
Në shkurt, lojtarët Neuer, Gnabry dhe Lewandowski morën kërcënime me vdekje me letër, një situatë që u raportua menjëherë në forcat e policisë.
/GazetaBlic Sport/


