Analisti politik Imer Mushkolaj ka reaguar ndaj deklaratave të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të cilët kanë përmendur mundësinë e mbylljes së emisioneve televizive, raporton GazetaBlic.
Mushkolaj tha se, pavarësisht joprofesionalizmit dhe dëshirës së disave për të mbyllur emisione si “Debat Plus”, një gjë e tillë nuk mund dhe nuk do të ndodhë.
Ai theksoi se KPM-ja duhet t’u përmbahet procedurave ligjore për trajtimin e ankesave, ndërsa deklaratat që kërkojnë mbylljen e emisioneve për shkak të kritikave ndaj pushtetit i cilësoi si shprehje të një mendësie totalitare dhe të rrezikshme.
Reagimi i plotë:
Anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) mund ta shpërfaqin joprofesionalizmin dhe dëshirën për të mbyllur emisione televizive, siç është “Debat Plus”, por një gjë e tillë nuk mundet dhe nuk do të ndodhë asnjëherë.
KPM duhet ta kuptojë se ekzistojnë procedura të qarta ligjore se si adresohen dhe zgjidhen ankesat e palëve.
Kurse, deklaratat idioteske që kërkojnë mbyllje emisionesh vetëm pse dikush kritikon pushtetin, i takojnë një mendësie totalitare dhe të rrezikshme. Ndonjëherë shpërfaqin edhe budallallëk.


