Sporti

Muric dhe Bekaj pa minutazhë, Ujkani pa skuadër| Mushica tregon se kush duhet të jetë titullar në ndeshjen ndaj Zvicrës

09/06/2023 10:34
nga:Mergim Rreci

Dardanët do të luajnë dy ndeshje kualifikues për Euro 2024 në kuadër të Grupit I.

Fillimisht Kosova do ta presë Zvicrën në Prishtinë më 9 shtator, pastaj do të luajë në transfertë ndaj Rumanisë më 12 shtator, shkruan GazetaBlic Sport.

Ish portieri i mirënjohur kosovar dhe ish portieri i Kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica ka analizuar ndeshjen ndaj Zvicrës, duke thënë se ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë shumë e vështirë, kjo për shkak të forcës që kanë ‘Helvetët’.

Ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë shumë e vështirë, sepse do të përballemi me një kombëtare shumë të fortë, një kombëtare që ka treguar ndeshje të mira në kontinuitet. Zvicra ka luajtur në çdo Evropian dhe Botëror në kohët e fundit, poashtu edhe kalimin e grupeve, duke regjistruar rezultate historike”, tha fillimisht ai.

Tutje, ai u pyet edhe për rolin e titullarit në portën e Kosovës, me tre portierët që nuk kanë pasur minuta tek skuadrat ku angazhohen. Në fakt, Samir Ujkani është edhe pa skuadër.

Mushica tha se bazuar edhe tek paraqitjet e edicionit të kaluar, Aro Muric duhet të jetë titullar në këtë takim.

Të tre portierët që janë të ftuar momentalisht nuk kanë pasur shumë minuta, madje Ujkani nuk ka arritur edhe të sigurojë kalimin tek ndonjë skuadër. Kampionatet vetëm sa kanë filluar, prandaj unë isha bazuar tek paraqitjet në edicionet paraprake. Nëse nisemi nga ajo, atëherë Aro Muric ka treguar paraqitje të mira dhe ka arritur sukses me ekipin ku luan, duke u inkuadruar në Premier League. Paraqitjet e tij gjithashtu me kombëtaren kanë pasur ngritje nga ndeshja në ndeshje dhe tani për tani e shoh atë si portierin që duhet të startojë ndaj Zvicrës. Natyrish kjo gjë mund të ndryshojë në të ardhmen, sepse Bekaj ka bërë një hap në karrierë, duke u transferuar në Superligën e Turqisë’, përfundoi Mushica.

/GazetaBlic Sport/