Lajme

Murati: S’kemi përgjegjësi për dështimin e regjistrimit të popullsisë

11/11/2023 10:33
nga:Y I

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati nuk merr përgjegjësi për dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë i paraparë të nis më 1 nëntor.

Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë fajësuar dikasterin e drejtuar nga Murati.

Ministri Murati  thotë se e kanë ndihmuar ASK-së për procesin e regjistrimit, por që sipas tij si Ministri nuk janë përgjegjës për këtë proces.

Në anën tjetër, zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha ditë më parë për KosovaPress, ka thënë se shkaktare që regjistrimi të mos fillojë me kohë ka qenë edhe Ministria e Financave.

Sipas tij, formimi i komisioneve për mbikëqyrës dhe regjistrues ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave.

Ndërkaq, Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor, porse për shkak të mos përgatitjes me kohë, ASK-ja kishte kërkuar që ky proces të shtyhet për vitin tjetër, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për këtë shtyrje. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19. Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë./kp/