Lajme

Mujanoviq: Dodik dhe Vuçiq janë bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Rusisë në Ballkan

04/24/2022 15:21
nga:Astrit Gashi

“Situata në Ballkan është përgjithësisht e paqëndrueshme, për shkak të drejtimit të gabuar të vendeve të tij”, tha politologu dhe analisti nga Bosnja dhe Hercegovina, Jasmin Mujanoviq.

Ai në një intervistë për The Geopost shton se ndikimi rus është i pranishëm në Ballkan, pikërisht për shkak të aleatëve që gjen në këto vende dhe thekson Milorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq si bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Rusisë, por sa i përket Vuçiqit shton se ai është pragmatik dhe do ta zhvendosë fokusin e politikës së jashtme serbe nga Rusia në Kinë, të paktën për një periudhë.

Sa i përket luftës në Ukrainë dhe ndikimit të saj në Ballkan, Mujanoviq thotë se për momentin nuk dihet saktësisht se në cilin drejtim po shkon kjo luftë, por “nëse Ukraina do të jetë e suksesshme në mbrojtjen e saj, siç është deri tani, atëherë do të të ndryshojë ndjeshëm të paktën mendimin taktik të këtyre aleatëve rusë ”.

Në rajon, ai thotë se “shanset për një pushtim formal janë minimale”

Dhe për të ardhmen e Ballkanit dhe integrimin e tij evropian, ai thotë se është joreale të pritet ndonjë zgjerim i BE-së, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, me siguri në 10 vitet e ardhshme, apo edhe në 15 vitet e ardhshme.

Për Kosovën thotë se prioritet është ndryshimi i politikës së 5 anëtarëve të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Të paktën 3 ose 4 prej tyre, të cilat, siç shprehet ai, mund të arrihet në 5 ose 10 vitet e ardhshme.

“Sigurisht që këtu duhet një aktivitet i fortë diplomatik, por këto janë synime reale. Dhe nëse kjo do të bëhej, atëherë Kosovës do t’i hapej dera për anëtarësim eventual në NATO, që është për Kosovën dhe BeH-në, do të thosha shumë më e rëndësishme se anëtarësimi në BE”, përfundoi Mujanoviq.