Lajme

Muhaxhiri për vrasjet në Kosovë: Qytetarët nuk ia kanë frikën policëve, e kemi humbur kontaktin me realitetin

08/10/2023 15:14
nga:N K

Sociologu, Artan Muhaxhiri  thotë se, vrasjet që po ndodhin në kafiteritë e Kosovës nënkupton një trend i cili ka të bëjë me humbjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, mungesën e frikës ndaj policisë dhe mungesën e besueshmërisë ndaj gjyqësisë, raporton Gazeta Blic.

Muhaxhiri tha për Gazeta Blic, se kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për shtetin tonë, për identitetin shtetëror, sepse tregon që Institucionet e sigurisë e kanë humbur kontaktin me realitetin.

“Kur në një vend të vogël si Kosova për një kohë kaq të shkurtër ndodhin kaq shumë vrasje, atëherë kjo nënkupton një trend i cili ka të bëjë me humbjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, mungesën e frikës ndaj policisë dhe mungesën e besueshmërisë ndaj gjyqësisë. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për shtetin tonë, për identitetin shtetëror, sepse tregon që insitucionet e sigurisë e kanë humbur kontaktin me realitetin pasi nëse kaq shumë armë ka tek qytetarët e thjeshtë“, tha ai.

Ai shtoi se, Kosova është një vend i vogël ku mund të identifikohen njerëzit dhe se duhet që të rriten dënimet për njerëzit të cilët mbajnë armë pa leje.

“Kosova është një vend shumë i vogël, nuk është as Kinë as Indi, prandaj është e mundshme që personat problematik edhe konfliktet ekzistente në shoqëri të vogla në fshatra, në qyteze të identifikohen dhe të tentohet që të ndikohet paraprakisht. Poashtu një gjë urgjent që duhet të bëhet është që të rriten dënimet për njerëzit të cilët mbajnë armë pa leje sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të zvogëlohej numri i tyre tek qytetarët dhe rrjedhimisht do të ulej potenciali për krimet”, transmetoi sociologu.

Muhaxhiri konstatoi se, është e pakuptueshme, se si në një kafiteri mund të jenë 10 persona të cilët kanë armë dhe policia të mos e ketë një informatë të tillë.

“Për fat të keq është evidente që policia nuk është prezente aq sa duhej të ishte në rrugë, kafiteri veçanërisht aty ku ka më shumë potencial, pra t’a zëmë ku ka mbrëmje të shumta sepse po shihet që edhe krimet, një pjesë e madhe po ndodhin aty për shkak të elementeve të ndryshme mirëpo është krejtësisht e pakuptueshme, se si në një kafiteri mund të jenë 10 persona të cilët kanë armë dhe policia të mos e ketë një informatë të tillë. Policia duhet të jetë absolutisht më profesionale, që të bëjë plane konkrete, sinqerisht është krejtësisht e pakuptueshme sepse të gjtha këto vijnë vetëm pasi të ndodhin krimet e viktimat e jo paraprakisht, gjë që edhe do të mund të parandalonte këto raste me viktima“, përfundoi ai Muhaxhiri për Gazeta Blic.

Shifra të frikshme: 250 mijë armë ilegale dhe 50 mijë armë legale në duar të kosovarëve