Sporti

Muhamet Dragusha: Ballkani duhet të përmirësojë aspektin defanziv – kualifikimi në fazën e grupeve objektiv real

08/19/2022 11:25
nga:E K

Mbrëmja e djeshme ishte një nga ditët më të mira të futbollit kosovar.

Kampioni në fuqi, Ballkani ka arritur fitore të jashtëzakonshme në udhëtim ndaj Shkupit me rezultat 1-2, shkruan GazetaBlic Sport.

Golat e Rrahmanit dhe Korenicës në minutat 23′ dhe 67’të e bënë Ballkanin që në shtëpi ndeshjen kthyese ta luajnë më të qetë, duke besuar edhe më shumë në fazën e grupeve të garës më të re evropiane “Europa Conference League”.

Analisti i njohur kosovar, Muhamet Dragusha gjatë një prononcimi për GazetaBlic Sport, ka potencuar se Ballkani ka treguar pjekuri nga ana taktike duke kryer me përpikmëri detyrat individuale në fushë.

“Motivi ka qenë shumë i lartë të lojtarët e Ballkanit, ana taktike dhe teknike ishte përgaditur në mënyrën më të mirë të mundshme, lojtarët kanë kryer me përpikmëri të gjitha detyrat e dhëna nga trajneri. Ishte e ditur që kundërshtari ka cilësi të lartë, kurse Ballkani ka luajtur një lojë shumë të mençur dhe të durueshme me kundërsulme të shpejta ku edhe i ndëshkuan dy herë oponentët”, tha fillimisht Dragusha.

Dragusha poashtu deklaroi se Ballkani duhet të përmirësohet në fazën e mbrojtjes e cila sipas tij është faza ku po ngec më së shumti skuadra e drejtuar nga trajneri, Ilir Daja.

“Loja ishte në nivel edhe pse kundërshtari ka dominuar në posedim të topit, përsëri Ballkani me durim është mbrojtë mirë, ndoshta pak më mirë se ndeshjet e kaluara ku shfaqeshin dukshëm problemet në fazën defanzive, megjithatë edhe këtë ndeshje u shfaqën të njëjtat probleme, me lojën në ajër sidomos në zonën e 16’metërshit, nëse edhe këtë aspekt Ballkani e përmirëson, besoj që pa problem do ta arrijë kualifikimin në Prishtinë”, Muhamet Dragusha.

“Nëse i referohemi përvojës së lojtarëve këtu çalojmë, pasi nuk kemi shumë lojtarë që kanë marrë pjesë në këtë nivel, por sigurisht që trajneri Daja ka shumë eksperiencë në këtë aspekt dhe këtë po e transmeton te lojtarët. Kemi parë që lojtarët janë shumë mirë të përgaditur nga ana psikologjike dhe kjo sigurisht po shpërblehet. Rezultati 2-1 është jashtëzakonisht i favorshëm, nuk duhet të lirohemi, por duhet të luajmë sërish mençur pasi Shkupi në Prishtinë do të sulmojë. Ballkani duhet të shënojë një gol dhe të mbrohet sërish duke synuar ta mbajmë topin sa më shumë në posedim”, përfundoi ai.

Kujtojmë që ndeshja e rradhës mes Ballkanit dhe Shkupit luhet në “Fadil Vokrri” javës që vjen.

/GazetaBlic Sport/