Lajme

MPJD konfirmon arrestimin e shtetasit kosovar në Serbi: S’na kanë dhënë asnjë përgjigje, të shmangen udhëtimet përmes Serbisë

07/23/2025 19:55
nga:Y I

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, Lulzim Halili, nga autoritetet serbe.

Sipas njoftimit të MPJD, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është informuar mbrëmjen e 22 korrikut për ndalimin e Halilit në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi.

Ai është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti.

MPJD njofton se përpjekjet për të marrë informacione shtesë nga autoritetet serbe kanë qenë të pasuksesshme, pasi zyrtarët policorë kanë refuzuar të japin detaje.

MPJD ka dërguar kërkesë zyrtare për konfirmim të arrestimit dhe për më shumë të dhëna, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe Delegacionit të BE-së në Serbi. Deri më tani, pala serbe nuk ka kthyer përgjigje.

Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar edhe vendet e Kuint-it dhe Delegacionin e BE-së për këtë rast.

MPJD u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.

Njoftimi i plotë:

Njoftim lidhur me arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës z. Lulzim Halili, nga autoritetet e Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është njoftuar mbrëmjen e 22 korrikut 2025 për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, z. Lulzim Halili.

Sipas informacioneve të pranuara, z. Halili është ndaluar nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi dhe është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti.

Zyra Ndërlidhëse ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me Stacionin Policor në Svilajnac rreth orës 23:00 mbrëmë, mirëpo zyrtari policor kujdestar ka refuzuar të ofrojë detaje mbi rastin.

Sot, më 23 korrik 2025, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të konfirmuar zyrtarisht arrestimin dhe për të marrë informata shtesë lidhur me rastin. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe.

Gjithashtu, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar për këtë rast misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.

Sapo të konfirmohet nëse z. Halili do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit dhe do të iniciohet procedurë penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes.

Për çdo zhvillim të mëtejmë rreth këtij rasti, do të ju mbajmë të informuar me kohë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.