Sporti

Mourinho: Veç një i ‘çmendur’ largohet nga Real Madridi

11/23/2023 08:46
nga:Lorik J

Jose Mourinho vuri në dukje në një intervistë se në të ardhmen do të pranojë një ftesë nga Arabia Saudite dhe do të shkojë atje për të punuar, si dhe iu përgjigj pyetjeve rreth një rikthimi të mundshëm në Real Madrid dhe se kush duhet të jetë pasardhësi i Carlo Ancelottit në stolin e madrilenëve. 

“Unë do t’ju them të vërtetën, mendoj se një ditë do të shkoj në Arabinë Saudite. Kur them “një ditë” nuk e kam parasysh nesër, dhe nuk kam parasysh as pasnesër”, tha Mourinho, i cili pritet të largohet nga Roma në fund të sezonit.

Ai nuk zbuloi se në cilin klub do të shkojë më pas. Dihet se Carlo Ancelotti do të largohet nga Reali në fund të sezonit dhe të marrë përsipër kombëtaren braziliane dhe disa media spanjolle shkruajnë se Mourinho mund të rikthehet në stolin ku ka qëndruar nga viti 2010 deri në vitin 2013.

“Unë në Real? Kur ke një trajner të madh, pse do të mendosh për dikë tjetër? Unë e njoh mirë Florentino Perezin, ai është një person shumë inteligjent. Nëse lexoni gazetën, mund të shihni gjithashtu se ai ka ide të qarta, si një tifoz i Realit dhe si tifoz i Ancelottit, shpresoj që Reali të ketë një sezon të mrekullueshëm dhe që Carlo të jetë në pankinën e tyre edhe në sezonin e ardhshëm, ai është trajneri perfekt për Realin”, shtoi Mourinho dhe theksoi:

“Mendoj se vetëm një i çmendur do të largohej nga Reali nëse klubi e dëshiron akoma. Ai i çmendur isha unë, i vetmi që u largova pas tre vjetësh dhe presidenti akoma më donte në klub. Mendoj se në shenjën e parë të qartë nga Perez, Carlo do të vendosë të qëndrojë. Ai është perfekt për Realin dhe Reali është perfekt për të”.

/GazetaBlic Sport