Në fund të ndeshjes me Salernitanën, në shtëpi (2-2), trajneri José Mourinho, në një prononcim për DAZN, u ftua të komentojë dënimin me 10 pikë të marrë nga Juventusi.
“Kjo është një shaka. Për ne dhe për të gjithë kjo situatë pikësh… Nëse do të më kishin thënë se para Monzas apo Bolonjës, sigurisht që qasja jonë në kampionat do të kishte qenë ndryshe. Duke ditur që Juve mbante [15] pikët, më e mira jonë ishte të vendosnim të gjitha forcat në gara evropiane dhe kjo është ajo që bëmë. Më vjen keq për ata [lojtarët e Juventusit], por në nivel lige ndryshon pak. Preferoj të them se më vjen keq për profesionistët që shënuan pikë në fushë dhe paguanin sepse drejtuesit dhe kompanitë bënin gabime”, shtoi ai, përcjell GazetaBlic Sport.
Kujtojmë që Juventus u dënua edhe muaj më parë me -15 pikë vendim i cili u anulua më pas, e sot zyrtarisht u vendos që sërish “Zonja e Vjetër” të dënohet me -10 pikë.
/GazetaBlic Sport/


