Lajme

Moslejmi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe, QUINT-i i zhgënjyer me Kosovën- A do t’i shkakoj ‘telashe’ kjo situatë vendit?

03/24/2022 18:25
nga:Q R

Profesori universitar Dritëro Arifi, vlerëson se reagimi i QUINT-it i cili shprehte zhgënjim me Qeverinë e Kosovës, për refuzimin e mbajtës së zgjedhjeve serbe në Kosovë, nuk do t’i shkaktoj ndonjë telashe vendit, pasi që sipas tij, Kosova edhe ashtu është e izoluar nga BE-ja.

Arifi në një prononcim për ‘Gazeta Blic’, thotë se ka ndodhur një keqkuptim sepse Kosova nuk i ka refuzuar zgjedhjet, por ka kërkuar një marrëveshje me Serbinë, e që sipas tij, të gjitha shtetet veprojnë në këtë mënyrë.

Derisa flet për reagimin e QUINT-it, ai shton se qeveria e Kosovës vendos për gjërat e brendshme në harmoni me kushtetutën e vendit.

“Mendoj se është në suaza të normales që ka reaguar QUINT-i pasi nuk arriti ta gjejë një zgjidhje me Kosovën. Por, është në suaza të diplomacisë që normalisht ata janë munduar ta gjejnë një zgjidhje më të butë në favor të Serbisë, normalisht për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk i ka refuzuar zgjedhjet kjo duket që është keqkuptuar, qeveria e Kosovës ka kërkuar një marrëveshje me Serbinë, që është normale që të gjitha shtetet e bëjnë për të arritur një bashkëpunim për të mirën e të gjitha komuniteteve. Nuk besoj që për këtë refuzimi Kosova do të ketë ndonjë problem, sepse Kosova vetëm është e izoluar nga BE-ja. Qeveria e Kosovës vendos për gjërat e brendshme që ndodhin në Kosovë në harmoni me kushtetutën”, deklaron ai.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë reaguar për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë. Në kumtesën e shteteve të QUINT-it, të lëshuar për media fajësohet qeveria e Kosovës se nuk pranoi një propozim të tyre për zgjedhjet e 3 prillit, të cilin e quajnë ‘konstruktiv’.

Qeveritë e Francës, e Gjermanisë, e Italisë, e Britanisë së Madhe dhe e SHBA-së shprehin keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje, që do t’i lejonte serbët e Kosovës që të votojnë në zgjedhjet nacionale të Serbisë, më 3 prill.

“Derisa ne vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, jemi të zhgënjyer të theksojmë se Qeveria e Kosovës refuzoi një propozim konstruktiv të propozuar nga QUINT-I”

Në njoftimin e tyre, që zyrtarisht është publikuar nga Qeveria britanike, thuhet se këto pesë shtete janë angazhuar intensivisht me qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë, që të arrijnë të gjejnë një zgjidhje.

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

Ai gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike e konsullore të Kosovës, tha se “nuk dëshirojmë t’ia pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

“Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi”, u shpreh kryeministri Kurti duke shtuar se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.

 

Moslejmi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe: QUINT-i del me një deklaratë, ku shprehet i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës

​Kurti: Duhet të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë