Lajme

Molliqaj: Të ndalet menjëherë presioni ndaj sindikatave

12/08/2021 13:24
nga:N M

Dardan Molliqaj kryetar i Partisë Socialdemokrate ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i cili ditë më parë deklaroi se duhet të ketë ndrrim të udhëheqësve të disa sindikatave në Kosovë.

Molliqaj ka shkruar se pas sulmeve që ka bërë Kurti e Hekuran Murati ndaj drejtuesve të sindikatave, atyre dje iu dërguan edhe inspektorët.

Reagimi i plotë:

Siç ndodh rëndom në pushtetet me tendenca totalitare, deklaratat e kryeministrit dhe ministrave shndërrohen në urdhëra policor. Kurti e Murati sulmuan para ca ditësh sindikatat në media, inspektorët dje u hynë nëpër zyra.
Siç ndodh rëndom në shtetet me orientim ideologjik të djathtë, aktiviteti sindikal sulmohet e shtypet. Kurti që braktisi idetë e barazisë, të drejtave të punëtorëve dhe mirëqenies sociale, sot armikun e sheh bash tek sindikatat.
Partia shtet nuk lejon organizata të pavarura. Aq më pak protestuese. Për të ose ka organizata të partisë që duhet t’i instrumentalizojë, ose organizata armiqësore që duhet t’i luftojë. Mendësia totalitare nuk e pranon tjetrin të barabartë por veç të nënshtruar. Dhe kjo s’është diçka e re, sepse ka ndodhur gjithandej ku ka pasur pushtete të tilla.
Protesta e kundërshtimi ndaj Kurtit, përherë e më shumë po bëhen shënjues të protestës për barazi sociale, mirëqenie ekonomike e demokraci. Të gjitha këto, projekte të braktisura prej tij. Kurti ka braktisur kauzat e qytetarët po e braktisin Kurtin. Drejtësia e kauzave ka mposhtur çdo apetit të individit.

Ndërron jetë aktivisti i Vetëvendosjes