Lajme

Molliqaj: Për a kundër Asociacionit, të bëhemi bashkë, është i papranueshëm

02/05/2023 12:35
nga:G B

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se duhet bashkuar të gjithë për a kundër Asociacionit, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se asociacioni është i dëmshëm në secilin version dhe si i tillë është i papranueshëm.

Postimi i tij i plotë:

Për a kundër Asociacionit, të bëhemi bashkë!

Ky nocioni i monoetnicitetit u lansua nga qeveria për tu dukur se e përmirësuan statutin e Asociacionit, e versioni final, dihet, nuk ka me qenë MONO. Kurrë nuk ka pas me qenë. As atëherë kur kundërshtohej me protesta e aksione brenda Kuvendit. Asociacioni është i dëmshëm tashmë, në secilin version. Dhe si i tillë absolutisht i papranueshëm.

Strategjia është kjo: shpike problemin, luftoje atë dhe shpalle suksesin. E tërë kjo pjellë e imagjinatës (së rrezikshme). Qeveria luftë kryesore e ka me mbështetësit e saj. Ka detyrë t’i përgjigjet pyetjes së vështirë: si të duket parimore dhe e drejtë, pa qenë e tillë. Kjo e tejkalon temën e asociacionit. Është në pyetje qenia e tyre politike.

Këta krijojnë insinuata dhe kur ato nuk ndodhin (se janë shpikje, kryesisht duke keqpërdorur situata e gjendje njerëzish) atëherë na japin lajmin e suksesit, se si këta e ndalen, përmirësuan apo ndaluan. Që të tri deklaratat janë gënjeshtra.

Prandaj organizimi për një shoqëri më të barabartë duhet ta tejkalojë konfliktin rreth asociacionit. Edhe ata që janë kundër dhe ata që janë për, kanë arsye të fuqishme për tu bashkuar. Duhet të organizohemi në kundërshtim të gjithë ne që nuk durojmë të qeverisemi me modele politike dogmatike, autoritare.