Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për Gazeta Blic, është deklaruar për mocionin e AAK-së për rrëzimin e Qeverisë.
Ai ka thënë se nuk po merren me atë çështje, derisa për partinë aktualisht primare është gjendja në veri.
“Nuk jemi duke u marrë me atë çështje. Për ne për momentin primare është gjendja në veri”, tha Gashi.
Se a do ta shqyrtojnë këtë çështje, ai tha se për momentin primare kanë sigurinë në vend dhe se nuk kanë pranuar asnjë dokument lidhur me këtë.
“Nuk kemi pranuar asnjë dokument as asgjë. Siguria në vend për ne aktualisht është primare. Për çështjet tjera shohim më vonë”, deklaron Arben Gashi për Gazeta Blic.
Ndërsa, nga PDK kanë thënë se do ta mbështesin këtë mocion nëse Qeveria vazhdon të tensionojë raportet me ndërkombëtarët e të mos bashkëpunojë me opozitën për situatën në veri.
Kurse, nga VV kanë thënë se AAK nuk i ka numrat për rrëzimin e Qeverisë, andaj po bën vetëm deklarata boshe./Gazeta Blic/


