Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se PDK mund të bëhet pjesë e një mocioni, nëse qeveria nuk e shtrin dialogun në spektrin politik dhe nëse e injoron bashkëpunimin me opozitën për gjendjen në veri.
Po ashtu, do ta mbështesë mocionin, nëse Qeveria vazhdon t’i tensionojë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.
“Përkundër faktit se kjo qeveri është duke e drejtuar vendin tepër keq dhe meriton të ndalet për shumë për falimentim ekonomik zhvillimor e varfërimin social si dhe humbjen e shanseve për integrime që 10 vite së paku, PDK mund të bëhet pjesë në një mocion, vetëm nëse qeveria nuk e shtrin dialogun me spektrin politik dhe nëse e injoron bashkëpunimin me opozitën për çështje vitale të vendit. Po ashtu, PDK mund ta mbështes mocionin për ndaljen e kësaj qeverie nëse vazhdon t’i tensionojë marrëdhëniet me partnerët strategjik dhe nxit disponim qytetar kundër aleatëve strategjik”, thotë Berisha.
Sipas tij, zgjidhja për gjendjen në veri duhet të jetë një marrëveshje mes Qeverisë, përfaqësuesve të katër komunave në veri dhe QUINT-it, veçanërisht SHBA-të, për zgjedhje në këto katër komuna.
“Zgjidhja për situatën në veri duhet të jetë një marrëveshje e harmonizuar në mes, Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesve të Komuniteteve të katër Komunat në Veri, me theks atij serb kosovar, PUN e QUINT, në koordinim me Ambasadën e SHBA-ve, për të caktuar datën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këto katër komuna që po kontestohen”, thekson deputeti i PDK-së për Gazeta Blic.
Ai shton se zgjedhjet duhet të mbahen më afër se gjashtë muaj, të krijohet një qeveri me bazë gjithëpërfshirëse.
“Këto zgjedhje duhet të mbahen jo më afër se gjashtë muaj. Ndërkohë, të katër kryetarët e zgjedhur mbajnë dhe ushtrojnë pozitat e tyre si kryetarë të zgjedhur dhe duke i legjitimuar e funksionalizuar mandatet e tyre. Pasi të shpallen zgjedhjet lokale në komunat në Veri, i tërë spektri politik kosovar, shoqëria civile dhe palët e interesuara, të dakordohen që të shkohet në një qeveri me bazë të gjerë apo gjithëpërfshirëse”, deklaron Berisha.
Më tej, ai thekson se kjo qeveri nuk duhet të ketë mandat të kufizuar në kohë, por të vazhdojë deri të përmbushen të gjitha obligimet që ka Kosova.
“Kjo qeveri nuk do të kishte mandat të kufizuar në kohë por që vazhdon derisa të përmbushen të gjitha obligimet që ka Kosova, me theks zbatimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare dhe arritjen e marrëveshjes finale me njohje të ndërsjellë dhe garanci të SHBA, me përmbylljen e procesit të shtetësisë. Po ashtu, kjo qeveri duhet të ketë në programin e saj qeverisës edhe reformën në drejtësi dhe sistemin zgjedhor, si dhe përmbylljen e transformimit të Forcës dhe arritjen e KPO. Kjo qeverisje do të përmbyllte të gjitha ato tema, me të cilat lidershipet partiake gjatë këtyre viteve, kanë krijuar kauza pas të cilave nuk kanë mundur të qëndrojnë dhe as t’i përmbushin. Pra, kanë ndërtuar kauza të rrejshme që si kanë përmbushur dot, ngase nuk janë varur vetëm nga Kosova, por edhe nga diplomacia ndërkombëtare dhe partnerët strategjik e aleatët”, potencon Hisen Berisha.
Sipas tij, kjo do të bënte që lidershipi që do të vijë nga zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, pas përfundimit të mandatit të kësaj qeverie gjithëpërfshirëse, të ketë vetëm programe zhvillimore në të gjitha fushat.
“Kjo do të bënte të mundur që lidershipet e ardhshme në zgjedhjet e ardhshme në Kosovës, pas përfundimit të mandatit të kësaj qeverie gjithëpërfshirëse, të mos vijnë më me agjenda elektorale e kauza fiktive, të paqëndrueshme dhe mashtrime, por do të ofrojnë programe të karakterit zhvillimor në ekonomi, arsim, shkencë, infrastrukturë, etj., që do ta bënin Kosovën një vend nga ku nuk do të ikej më dhe vend të mundësive të mëdha. Pra, mjafton vullneti i mirë dhe patriotizmi për ta arritur një stabilitet afatgjatë dhe zhvillim permanent”, thotë deputeti i PDK-së, Hisen Berisha./Gazeta Blic/


