Drejtori i Informimit në AAK, Lulëzim Blaka, ka reaguar ndaj shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se situata ka qenë më dramatike në kohën e Qeverisë Haradinaj me taksën, se sa sot me sanksionet amerikane ndaj Kurtit, raporton Gazeta Blic.
Ai ka kërkuar nga ajo që të flasë drejt para qytetarëve e të mos mashtrojë, pasi Haradinaj pak ditë pas taksës, në koordinim me Amerikën e krijoi ushtrinë e Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
Ndalni mashtrimet
Mimoza Kusari paska deklaru se situata ka qenë më dramatike me taksën ndaj Serbisë nga Qeveria Haradinaj, se sa sot me sanksionet amerikane ndaj Kurtit.
Po ta rikujtojmë se taksa u vendos me 21 nëntor 2018, e falë koordinimit dhe bashkërendimit të Kryeministrit Haradinaj me Amerikën arritëm ta kalojmë krijimin e Ushtrisë, veç pak ditë më vonë, me 14 dhjetor 2018.
Ku po e shihni gjendjen më dramatike në atë kohë sesa tani Mimoza Kusari?
Flisni drejt para qytetarëve, mjaft me mashtrime.


