Situata në Kosovë në dukje e qetë, ngase situata mund të përkeqësohet në çdo moment, pasi tensioni është maksimal, “sidomos te serbët që kërcënohen nga aktet e fundit të regjimit të Albin Kurti”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.
Ai ka theksuar se pret një veprim më vendimtar nga KFOR-i në mbrojtjen e serbëve në Kosovë.
“Është e rëndësishme nëse serbët arrijnë të shprehin në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh me ta, veçanërisht në katër komunat në veri, pa përshkallëzim të mëtejshëm. Kurti po punon për pastrimin etnik të Kosovës nga serbët dhe kjo është agjenda e tij kryesore. Kjo është një formë presioni ndaj serbëve në Kosovë, të cilëve u thuhet se nuk mund të qëndrojnë në veri”, tha Vuçeviq.
Ai tha se qëllimi është që “Serbia të futet në konflikt, ku do të paraqitet si agresore dhe se duhet të tregohet politikisht e mençur, e kujdesshme dhe t’i mbrojë serbët në Kosovë”.
Duke iu referuar deklaratës së ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, se ushtria serbe nuk po përgatitet të ndërhyjë në Kosovë, por që të jetë e gatshme “për të gjithë skenarët”, Vuçeviq tha se Serbia nuk do të lejojë askënd të kalojë vijat e kuqe, d.m.th. nuk lejon të përsëritet “Stuhia”, apo ngjarjet e marsit 2004″.
“Ushtria do të jetë në gjendje të kryejë çdo detyrë që ka të bëjë me sigurinë e Serbisë dhe serbëve në Kosovë. Ne do të mund të reagojmë në kohën e duhur, me shpresën se nuk do të na duhet të reagojmë, sepse askush nuk dëshiron luftë, por të shikojmë serbët duke u vrarë në Kosovë, kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.
Ai shprehu shpresën se faktorët nga bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë vendet e Quintit, do të jenë më të suksesshëm në presionin dhe dënimin e Kurtit.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse KFOR-i mund t’i mbrojë serbët në Kosovë, ai tha se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneral Milan Mojsiloviq është në kontakt me komandantin e KFOR-it disa herë në ditë, se këto janë biseda që duhet të tingëllojnë mirë, por shtoi se “po shihet se jo gjithçka varet nga ai, por ka edhe një politikë që përcakton veprimin në fushë”.
“Komandanti i KFOR-it ka autonominë e tij, por ndjek edhe kontekstet politike. Pres një veprim më të vendosur nga KFOR-i në mbrojtjen e serbëve”, tha Vuçeviq.


