Sporti

Milani hap garën për pasuesin e Giroud, dy emra në krye të listës

04/27/2024 09:37
nga:E K

Me Olivier Giroud që do të largohet drejt Shteteve të Bashkuar atë Amerikës, Milani ka nisur punën për të gjetur një tjetër sulmues që do të mbajë peshën e repartit të avancuar sezonin e ardhshëm.

Media pranë klubit kuqezi bën me dije se në listën e drejtuesve të milanezëve janë dy emra, Santiago Gimenez i Feyenoord dhe Serhout Giurassy i Stuttgartit. I pari është vetëm 23 vjeç dhe ka shënuar 21 gola në 29 ndeshje me klubin holandez, teksa kartoni i tij vlerësohet rreth 50 milionë euro.

Kuqezinjtë kanë nisur tashmë negociatat, teksa në Milano ka përfunduar babai i Gimenez, bashkë me agjentin e tij, për të takuar drejtuesit e Milanit dhe për të hedhur bazat e transferimit.

Ndërkohë paralelisht Milani mban të hapur edhe pistën që të çon te sulmuesi nga Guinea, Giurassy, i cili ka shkëlqyer këtë sezon me gjermanët e Stuttgartit.

Kartoni i 28-vjeçarit vlerësohet rreth 20-25 milionë euro, shifër kjo më e përballueshme për arkat e Milanit, megjithatë mosha nuk favorizon shumë sulmuesin e lindur në Francë.

Pikërisht për këtë arsye, prioritet mbetet Gimenez, një sulmues 23-vjeçar që mund të rezultojë në një element me mjaft vlera si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen.