Sporti

Milan apo Inter, Gianni De Biasi flet për ‘GazetaBlic Sport’, tregon skuadrën më favorite në këtë takim

05/10/2023 17:55
nga:Mergim Rreci

Milan dhe Inter do të përballen sonte në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Pritet të jetë një ndeshje e ‘zjarrtë’ në San Siro, me dy skuadrat që kërkojnë fitoren e madhe dhe një rezultat sa më pozitiv para ndeshjes kthyese.

Një pritje 18-vjeçare do të përfundojë sonte mbrëma pasi që të dy skuadrat do të ndeshen në një derbi të Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 2005.

Trajneri i njohur italian dhe ish trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ në lidhje me këtë ndeshje.

De Biasi tha se është shumë e vështirë të bëhet një parashikim për këtë ndeshje, por që sipas tij, Interi kohëve të fundit e ka gjetur sërish shkëlqimin dhe formën e duhur dhe e sheh pak më të avantazhuar këtë skuadër.

Është e vështirë të bësh një parashikim, të dyja skuadrat kanë dalë nga një situatë mjaft e çuditshme dhe e vështirë për t’u deshifruar. Kohët e fundit Interi duket se ka gjetur sërish shkëlqimin dhe formën e duhur. Për vlerën e përgjithshme dhe kualitetin e skuadrës, Interi duket se është pak më i avantazhuar se Milani. Por përvoja më mëson të mos bëj kurrë parashikime“, tha De Biasi.

Kujtojmë që kjo ndeshje fillon në ora 21:00, me stadiumin që do të jetë i stërmbushur, madje kishte aq kërkesa të mëdha, ku sipas mediave italiane 26 stadiume si ‘San Siro’ nuk do të pëmbushnin nevojën dhe kërkesën e madhe të tifozëve.

/GazetaBlic Sport/