Skuadra e Gjilanit po rikthehet tek rezultetet pozitive në Superligën e Kosovës.
‘Skifterat’ triumfuan në ndeshjen e fundit ndaj Feronikelit ’74 me rezultat 2 me 1, shkruan GazetaBlic Sport.
Me 14 pikë në vendin e 7-të, Gjilani ka 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje në 5 ndeshjet e fundit.
Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, trajneri Gentian Mezani ka deklaruar se skuadra që e drejton ka pasur ulje dhe ngritje gjatë këtyre 11 javëve, por që duke marrë parasysh situatën në të cilën ishin.
“Gjatë kësaj periudhe kemi pasur ulje-ngritje në rezultate dhe kjo për arsye që dihen pa diskutim që shpresojmë shumë se me punën që po bëjmë dhe me profesionalizmin e secilit lojtar do të mund ta sjellim Gjilanin atje ku e meriton të jetë. Deri më tani, mendoj se duhet të jemi të kënaqur deri diku pasi kemi pasur mundësi të marrim disa pikë më shumë nëse do të ishim të kujdesshëm, por edhe mund të kishim disa pikë më pak duke marrë parasysh situatën si filluam këtë kampionat. Ajo që duhet të bëjmë në këto momente është të punojmë edhe më shumë, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet një nga një“, tha fillimisht Mezani.

Tutje, ai u deklarua edhe për ndeshjen e shtyrë të kësaj fundjave ndaj Ballkanit, ku tha se do të jetë një mundësi më e madhe që skuadra të përgatitet.
“Mendoj se skuadra pavarësisht çdo vështirësie është rritur nga ndeshja në ndeshje, por mendoj se ende nuk jemi aty ku duhet. Është e vërtetë që ndeshja ndaj Ballkanit do të shtyhet, diçka që na jep edhe pak kohë për të punuar më shumë, duke korrigjuar gabimet që bëjmë dhe duke i përmirësuar ato. Ne hyjmë në çdo ndeshje për të fituar, pavarësisht se me cilën skuadër kemi përballë dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe ndaj Ballkanit në momentin që do të përballemi me ta“, përfundoi Mezani.
/GazetaBlic Sport/


