Lajme

Meta: Altin Dumani më ka dërguar njerëz që të largohem nga Shqipëria

04/17/2024 15:23
nga:Y I

Pas akuzave ditëve të fundit ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, këtë të mërkurë Ilir Meta ka qenë edhe më i ashpër ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posacme.

Nga Partia e Lirisë, në një konferencë për mediat, Meta tha se Altin Dumani i ka dërguar në zyrë persona duke i kërkuar të largohet nga Shqipëria.

“E ke çuar edhe njerëz që të më mbushin mendjen të iki unë nga Shqipëria. Cfarë prokurori je ti, gjëmon vjehrrën time të marrësh peng familjen time e kujton që do marrësh Partinë e Lirisë”, tha Meta.

Sipas kreut të Partisë së Lirisë amerikanët i kanë kërkuar Altin Dumanit arrestimin e tij.

“Të kanë thënë ty amerikanët që të fusësh mua në burg. Po kur të duash ti, edhe amerikanët e tu, ballafaqohemi këtu edhe në amerikë. Prandaj thirri mendjes,reflekto, thellohu. Nuk të mbron dot ty as KLP as Zoti në qoftë se shkel Kushtetutën. Dhe ky nuk është kërcënim, është ndihmë që po të jepet, këshillim”, tha ai.

Pjesë e hetimeve për cështjen CEZ-DIA ka qenë edhe kreu i SPAK Dumani për të cilin Meta hodhi akuza se ka takuar në burgun e Fierit Kastriot Ismailin, në kohën kur ai vuante dënimin.

“Po cfarë presim ne që të thuash ti që kam takuar MCgonigal-in, çfarë presim ne atë që e di e gjithë Shqipëria, që i ke vajtur 20 herë në burg në Fier Kastriot Ismailit për t’i thënë jep dëshmi kundër Ilir Metës që të dalësh t’i nga burgu e të vijë ai këtu se Ilir Meta nuk është kujdesur për ty, ti pse mbron Ilir Metën, ku ka fjetur Ilir Meta, si ka fjetur Ilir Meta”, deklaroi Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë deklaroi se nga burgu do ta shkrijë atë celulë kriminale duke iu referuar SPAK.