Sporti

Mërgim Pefqeli: Jam i lumtur që në ndeshjen time të parë si kapiten i Prishtinës arritëm fitore, synojmë pozicionim sa më të lartë në tabelë

08/16/2023 16:16
nga:E K

Sezoni i ri në Superligën e Kosovës filloi në fundjavën e kaluar.

Në xhiron e parë u zhvilluan katër ndeshje, kurse ndeshja mes Gjilanit dhe Fushë Kosovës nuk u zhvilua, shkruan GazetaBlic Sport.

Ekipi nga kryeqyteti, FC Prishtina e nisi mirë edicionin e ri duke fituar ndaj Feronikelit 74′ me rezultat 3-1.

Kapiteni i ri i Prishtinës, Mërgim Pefqeli ka folur për “GazetaBlic Sport” ku tha se skuadra nga kryqyteti ka synim renditjen sa më të mirë tabelare.

“Kemi filluar kampionatin me fitore në ndeshjen e parë kundër Ferronikelit, gjithmonë është mirë me fillu me fitore, shpresoj që kështu do të vazhdojmë ndeshje pas ndeshje. Objektivi i klubit është që të angazhohemi të gjthë për çdo ndeshje që në fund të jemi sa më lartë në tabelë“, tha Pefqeli.

Pefqeli deklaroi se është nder dhe kënaqësi për të që ta udhëheqë skuadrën e Prishtinës si kapiten në fushë.

“Po jam kapiten i ri i klubit më të madh në vend, të jem kapiten në klubin në të cilin jam rritur është një kënaqësi e veçantë për mua, është nder dhe krenari që në këtë ekip me emër të madh të kem fatin që unë të jem kapiten, poashtu jam i lumtur që në ndeshjen e parë timen si kapiten arritëm fitore edhe kjo ishte ndjenjë e veçantë që do ta kujtoj gjithmonë, dhe shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet tjera“, përfundoi Pefqeli për GazetaBlic Sport.