Sporti

Menaxheri i Kvaratskhelia-s: Osimhen do të transferohet në Arabi gjatë verës!

01/10/2024 07:57
nga:Mergim Rreci

Napoli ka zhgënjyer në pjesën e parë të sezonit, me kampionët e Italisë që pozicionohen në vendin e nëntë me 28 pikë, ndërsa nuk fiton prej tre ndeshjesh.

Si të mos mjaftonte kjo, situata në shtëpinë e Napolit nuk është aspak e qetë, kjo pasi drejtuesit po hasin vështirësi në rinovimet e kontratave, teksa këtë të martë, menaxheri i Kvaratskhelia-s ka ndezur akoma edhe më shumë situatën.

Mamuka Jugeli, në një intervistë të dhënë për mediet italiane ka theksuar se klienti i tij ka nisur të mendojë për të ardhmen, por nuk do të luajë kurrë në Arabinë Saudite, ndërsa Osimhen po, madje sulmuesi do të largohet në verë.

“Osimhen sapo rinovoi kontratën, por a mendoni ju se ai do të luajë gjithë jetën te Napoli? Unë po ua them, gjatë merkatos së verës Victor do të transferohet në kampionatin saudit, ndërsa Kvara jo. Kam biseduar me të dhe ai nuk do të luajë kurrë në Arabinë Saudite edhe për 1 miliard euro, kjo është e sigurt. Kvaratskhelia ka vullnetin e duhur, por edhe vizionin për të ardhmen dhe ai i ka objektivat e qarta, natyrisht që ne do të diskutonim gjithçka për emra si Real Madrid, Man. City, Bayern apo Barcelona. Kam pasur kontakte me shumë klube, por a do ta lërë De Laurentiis të shkojë? Për momentin ka një kontratë me klubin, pastaj le të shohim” – përfundoi Jugeli, menaxheri i Kvaratskhelia-s.