Lajme

“Memli Krasniqi i konsumuar politikisht, PDK-ja do të jetë e njëjtë edhe me të!”

07/03/2021 16:41
nga:M K

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, beson se përkundër faktit që ndërroi lidership, PDK-ja do të ketë mënyrë të njëjtë të funksionimit.

Në një prononcim për GazetaBlic, Demhasaj tha se Memli Krasniqi është i konsumuar politikisht dhe kështu nuk pret që të ndikojë kush e di se çka për Partinë Demokratike, pasi ai është pjesë e saj tash e një kohë të gjatë, me ç’rast ka ushtruar shumë funksione.

Tutje, ai shtoi se PDK-ja humbi një shans të mirë, pra atë të garës së vërtetë brenda përbrenda partisë, pas tërheqjes së Hoxhajt.

Megjithatë, Demhasaj beson se kjo ka ndodhur për një arsye të vetme, ata me të kuptuar se Krasniqi i ka siguruar votat, nuk ia kanë “mësyer” garës.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka humbë një mundësi të mirë të cilën e ka pasur, pra që të ketë një garë të vërtetë brenda partisë sa i përket zgjedhjes së liderit të ri. Me faktin se ka pasë veç një kandidat, ka humbë kjo mundësi dmth.

Në anën tjetër, nëse flasim se çka pritet prej Memli Krasniqit, për PDK-në nuk është se mund të ketë pritje të veçantë, për vet faktin se Memli Krasniqi ka qenë moti pjesë e partisë, ka ushtru shumë funksione, si brenda partisë ashtu edhe brenda qeverisë, kur PDK-ja ka udhëheqë qeverinë, është shumë i konsumuar politikisht.

Në anën tjetër, fakti se Memli ka ardhur në krye të partisë me përkrahjen e grupeve të forta brenda partisë, tregon se PDK-ja do të mbesë në një formë të njëjtë të funksionimit. Me sa kam unë informacione, dëshira e partisë ka qenë që të ketë sa më shumë kandidatë, por kur është mësuar se Krasniqi ka arritur t’i sigurojë votat e shumicës së grupeve ndikuese, kandidatët tjerë nuk kanë dalë në garë sepse e kanë ditur që garën e kanë të humbur.

Momentin që e di se garën e ke të humbur, më mirë është mos të hysh fare, sesa të hysh”, tha ndër të tjera Demhasaj për GazetaBlic.

Albin Kurti uron Memli Krasniqin për detyrën e re, i ofron bashkëpunim për temat me interes nacional

/GazetaBlic/