Ndeshje jashtëzakonisht interesante dhe me një atmosferë të mrekullueshme pritet të zhvillohet nesër në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë ndërmjet Ballkanit dhe Shkupit. Jusuf Ramadani deklaroi se do të jenë më shumë se 700 tifozë në Prishtinë.
‘Shvercerat’ janë një ndër tifo grupet më të organizuara dhe të njohura në trojet shqiptare. Këtë e kanë vërtetuar edhe me paraqitjet e tyre në ndeshjet europiane të këtij sezoni. Sidomos kundër Dinamo Zagreb në ndeshjen kthyese.
Udhëheqësi i tifo grupit, Jusuf Ramadani fillimisht foli rreth pritshmërive të tij për këtë ndeshje historike mes dy ekipeve shqiptare. Ai si një tifoz i flakët i Shkupit normalisht se pret vetëm fitore.
” Kundër Ballkanit presim fitore. Do të jetë e vështirë, por besojmë që do të kalojmë tutje. Presim angazhim maksimal nga lojtarët tanë,” tha ai.
Pak ditë më parë në emisionin ‘Kampionët’ drejtori sportiv i klubit, Omer Bunjaku kishte deklaruar se pritet të jenë 600 tifozë në ‘Fadil Vokrri’. Megjithatë, Ramadani thotë se do të jenë më shumë se 700. Ai gjithashtu shprehet optimist se do të kalojnë mirë në këtë udhëtim.
”Në Stadiumin “Fadil Vokrri”, do të ketë më shumë se 700 Shvercera. Shum tjerë do të udhëtojnë edhe me vetura private. Jam i sigurt që do të kalojmë mirë. Ne po shkojmë në vendin tonë dhe aty jemi në shtëpi,” tha ai për Gazeta Metro.
Është ligj i pashkruar në rregullat e tifozëve ultras që mos të zbulohen detaje rreth koreografive ose mesazheve para një ndeshje, kështu veproi edhe Ramadani kur u pyet se nëse kanë përgatitur ndonjë gjë.
”Do ta hapim një mesazh të shkurtë e të qartë. Mbetet ta shohim në Prishtinë,” përfundoi ai.
Duhet theksuar se, edhe tifozët nga Suhareka ‘Xhebrailat’ pritet të jenë në numër mjaft të madh të enjten në Prishtinë. Ndërsa, ditën e djeshme u raportua se deri më tani janë shitur 9 mijë bileta për këtë duel.
Ndeshja e parë e fazës ‘play-off’ të Conference League e luajtur javën e kaluar në ‘Todor Proeski’ kishte përfunduar me rezultat 1-2 për suharekasit.


