Një 31-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Ksamil pasi iu gjet një armë zjarri me municion në automjetin e tij.
I riu, me inicialet Sh. M., banues në Gjilan, po qarkullonte me automjetin e tij tip Range Rover kur u ndalua nga policia e Sarandës. Gjatë kontrollit, atij iu sekuestrua një pistoletë tip Beretta me një krehër të mbushur me fishekë.
31-vjeçari u arrestua për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”, ndërsa materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Sarandës për veprime të mëtejshme.
“Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Impact”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar:
Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Range Rover” që drejtonte ky shtetas, në Ksamil, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës, 1 armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me një krehër me fishekë.
Arma, municioni dhe automjeti i 31-vjeçarit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
/Euronews Albania/


