Lajme

Mbyllet për publikun gjykimi ndaj ish-zyrtarit të AKI-së, i akuzuar për korrupsion dhe vepra tjera penale

09/26/2022 11:49
nga:N M

Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për publikun, në rastin ku ish-zyrtari i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Muhamed Krasniqi po akuzohet për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Një vendim i tillë, është marrë të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi.

Kjo pasi që në fillim të seancës, prokurori Zejnullah Gashi ka propozuar që të mbyllet shqyrtimi gjyqësor, sepse sipas tij dëshmia e zyrtarit të AKI-së mund të cenojë informatat e ndjeshme të agjencisë.

“Duke marrë parasysh informatat sekrete të cilat mund të deklarohen gjatë dëgjimit të këtij dëshmitari dhe dëshmitë e propozuara nga prokuroria, mund të cenojnë drejtpërdrejt informata të ndjeshme të AKI-së”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë propozim, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Florent Latifaj ka thënë se i përket gjykatës të vendos në lidhje me përjashtimin e publikut, e që sipas tij në rastin konkret nuk ka pasur asnjëherë vendim për ndalimin e publikimin e të dhënave.

Tutje, avokati Latifaj e ka kundërshtuar fuqishëm propozimin për mbylljen e tërë shqyrtimit gjyqësor, pasi që sipas tij pas dëgjimit të dëshmitarit nuk ka sekrete në këtë lëndë.

Në këto rrethana, pas konsultimit të trupit gjykues në përbërje nga gjykatësi Foniqi, gjykatësi Kushtrim Shyti dhe gjykatësja Fatime Dërmaku, është vendosur që të mbyllet për publikun i tërë shqyrtimi gjyqësor.

Ndryshe, shqyrtimi i dytë për këtë rast ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin, pasi që gjykatësi Foniqi kishte zhvilluar seancën në mungesë të të akuzuarit Krasniqi.

Ndërkaq, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 10 mars 2022, i akuzuari Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë sipas aktit akuzues.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 23 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Muhamed Krasniqi, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Sipas pikës së parë të aktit akuzues, i akuzuari Krasniqi, më 17 shtator 2020, 25 gusht 2020 dhe 11 mars 2021, në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në kundërshtim me ligjin, si person zyrtar në cilësinë e zyrtarit të AKI-së, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij.

Aktakuza thotë se pa autorizim ka ndërhyrë në sistemin kompjuterik të AKI-së, duke instaluar në mënyrë të paautorizuar programin për monitorimin e kompjuterëve të tjerë “Net Monitor for Employees Pro”, nga i cili program janë infektuar 55 kompjuterë të tjerë brenda selisë qendrore të AKI-së, si dhe ka instaluar file-n e programit të softuerit “Veyon”, ku ka shkelur të drejtat e punonjësve të tjerë, duke krijuar qasje të paautorizuar në përmbajtjen e të dhënave që zyrtarët kanë pasur në posedim, si dhe duke keqpërdorur autorizimet e veta si administrator i sistemit kompjuterik (username dhe paswordat), të cilat i ka pasur autorizim t’i përdorë për qëllime zyrtare, po ashtu ka krijuar qasje të paautorizuar në dokumentacionin e klasifikuar dhe ka mundësuar marrjen e dokumenteve dhe informacioneve nga përdoruesit e kompjuterit.

Me këtë, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3, pika 3.1. dhe 3.4. të KRPK-së.

Tutje, në pikën e dytë të aktakuzës, Krasniqi akuzohet se duke përdorur programin “Net Monitor for Employees Pro”, dhe file-n e programit të softuerit “Veyon” , të cilat janë dokumentuar që janë instaluar në kompjuterët që ai ka përdorur në rrjetin e AKI-së, ka krijuar qasje në kompjuterë të punonjësve dhe eprorëve brenda rrjetit të komunikimit të AKI-së, nga i cili ka pasur qasje të sheh aktivitetin e secilit kompjuter të infektuar, marrjen e fajllave, marrjen e fjalëkalimeve, video-regjistrimin e aktivitetit të përdorueseve, po ashtu akuzohet se ka arritur të hyjë në fajllat e inspektorit të përgjithshëm, përgjimit të prodhuar nga AKI-ja, listën e pagave të punonjësve, dokumenteve operative të ndryshme, dhe fotografi të paautorizuar të punonjësve.

E që me këtë, Krasniqi akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 416, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Kurse, sipas pikës së tretë të aktit akuzues, Krasniqi duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka instaluar softuerët “Net Monitor for Employees Pro”, dhe file-n e programit të softuerit “Veyon”, në rrjetin e brendshëm të komunikimit të AKI-së, përmes dy kompjuterëve të tij dhe ka krijuar qasje në 55 kompjuterë të punonjësve të tjerë përmes “Agjentëve të programit”, nga ku akuzohet se ka mundur të marrë informacion duke hyrë në sistemet kompjuterike të punonjësve të AKI-së, si dhe ka pasur të instaluar softuerin “Net Monitor for Employees Pro”, në rrjetin e internetit të AKI-së, të njëjtit softuer ka të instaluar edhe në kompjuterin e tij personal.

Me këtë, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike” nga neni 327, paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, Krasniqi, sipas pikës katër të aktit akuzues, duke pasur qasje në dokumente të klasifikuara të njësive të AKI-së, e të cilat janë gjetur në kompjuterin e tij në objektin e AKI-së dhe kompjuterin në shtëpinë e ti, gjurmë të fajllave të dokumenteve si: lista e pagave të punonjësve të AKI-së, gjurmë të dokumenteve të klasifikuara të njësive të AKI-së, me nivel sekret dhe tepër sekret, dokumente të inspektorit të përgjithshëm dhe të njëjta fajlle, akuzohet se i ka kopjuar dhe ruajtur ato dokumente të klasifikuara, të cilat nuk është dashur të nxjerrën jashtë ambienteve të AKI-së, dhe akuzohet se iu ka dhënë informata grupit kriminal si: Agim Krasniqi, Aqif Krasniqi dhe Arif Krasniqi, që kanë qenë duke u hetuar nga policia për shkak të dyshimit për vepra penale.

Për këtë, Krasniqi akuzohet për veprën penale “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” nga neni 125 të KPRK-së, lidhur me nenin 50, paragrafi 3 të Ligjit nr.03/L-178 për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.

Ndërsa, sipas pikës pesë të aktakuzës, Krasniqi akuzohet se duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe duke keqpërdorë informatat që ka pasur rreth sistemit të video-monitorimit të objekteve të AKI-së, i njëjti akuzohet se është futur në sistemin e video-monitorimit e ka bërë fotografimin e paautorizuar e së paku dy zyrtareve brenda objekteve të AKI-së.

E që për këtë, Krasniqi akuzohet kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” nga neni 202, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Java e pestë e grevës / Këshilli i Prindërve: Jemi në pat pozicion