Lajme

Mbyllen dy lokale në Malishevë, shërbyen “shisha” për klientët

08/17/2023 17:22
nga:Genita C

Inspektorati komunal në Malishevë ka mbyllur dy lokale, pasi që kanë shërbyer shisha nargjile për klientët.

Njoftimin e ka bërë të ditur Komuna e Malishevës, ku kanë njoftuar se edhe në të ardhmen do të bëjnë mbikëqyrje për zbatimin e plotë të vendimit.

“Inspektorët komunal në Malishevë, në bashkëpunim me policinë, sot kanë ndërmarrë një aksion në disa lokale, për inspektim të zbatimit të vendimit Nr.-2/500, datë 24.10.2022, vendim i cili ndalon përdorimin apo shërbimin me “shisha”. Gjatë inspektimit, dy lokale, në të cilat janë hasur duke shërbyer për klient me shisha-llulla- nargjile, të njëjtat janë mbyllur”, thuhet në njoftim.

Tutje, është bërë e ditur se në ato lokale ku nuk zbatohet vendimi do të ndërmarrin veprime ligjore.

Vendimi që është marrë më 24.10.2022 ndalon shërbimin me shisha-llula-nargjile dhe të ngjashme, në largësi ajrore së paku 500 metra afër objekteve shkollore dhe 400 metra në afërsi të stacioneve të autobusëve.