Lajme

Masat e reja anti Covid- paralajmërohen protesta dhe padëgjueshmëri qytetare

01/25/2022 12:14
nga:Y I

Pas rritjes së rasteve me Coronavirus, Qeveria e Kosovës miratoi masat e reja anti Covid, raporton Gazeta Blic.

Disa nga masat e miratuara janë kufizimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00, shërbimet e gastronomisë duhet ta ndalojnë aktivitetin e tyre në ora 21:00, çdo person që duhet të hyjë në Republikën e Kosovës duhet të ketë tre doza vaksinash etj.

Vendimi për këto masa ka sjellë një reagim të madh qytetar në vendin tonë.

Edhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, me të gjitha bizneset që përfaqëson, si një nga sektorët më të prekur, ka reaguar ashpër pas marrjes këtyre masave.

Krytari i kësaj Ode, Hysen Sogojeva, duke folur për “Gazeta Blic” paralajmëroi edhe protesta nëse vazhdohet tutje me këtë situatë.

“Nesër e kemi mbledhjen e Kryesisë, është forumi më i lartë i Odës, aty do të shohim si do të vazhdojmë më tutje. Nuk e përjashtojmë mundësinë që të ketë edhe protesta pasi këto vendimet e fundit, kanë dalë qesharake edhe për opinionin, të mos flasim pastaj për bizneset. Tri vaksina, Kosova është i vetmi shtet në botë që i kërkon. Ky sektor ka qenë më i rrezikuari që prej shfaqjes së pandemisë dhe deri më sot dhe nuk është ndihmuar aspak, nga asnjë Qeveria dhe as nga kjo e fundit. Edhe kërkohet shumë prej nesh, edhe ngufatemi. Shtetet e tjera po shohin mundësinë të hapen, ndërsa ne po mbyllemi dhe kjo nuk përkon askund me realitet. Këto masa për ne janë të njëanshme, prandaj ne kemi me shku deri në atë pikë sa do të shkojmë në padëgjueshmëri”, tha Sogojeva për “Gazeta Blic”.

Edhe nga Shoqata e Gastronomëve janë shprehur të shqetësuar në lidhje me masat e reja anti Covid.

Arian Vranica, nga kjo shoqatë foli për “Gazeta Blic” dhe tregoi se a pritet të mbajnë protesta si masë e radhës kundër këtyre vendimeve.

“Realisht nuk kemi marr një vendim ende, jemi në shqyrtim të vendimeve. Jemi duke shqyrtuar opsionet të cilat mund të kenë një ndikim më të madh në bazë të veprimeve që do marrim. Uroj që s’kemi me pas nevojë me mbajt protesta, besoj se tani presioni është shumë më i gjerë sesa veç ne si sektor, sepse këto masa kanë shkaktuar jo vetëm pakënaqësi ekonomike por edhe shoqërore. Ka edhe reagime ka edhe protesta dhe duam të gjejmë një momentum të përshtatshëm, dhe uroj që deri atëherë me pas një ndryshim dhe më mos të ketë nevojë për protesta apo aksione për shoqatës. Tani për tani nuk e kemi marrë asnjë vendim” tha Vranica për “Gazeta Blic”

Masat e reja anti Covid kanë sjellë shqetësim edhe në pikat kufitare.

Vendimi për tre doza të vaksinës nuk është pritur aspak mirë nga qytetarët e Shqipërisë, të cilët dje kanë mbajtur protestë në Morinë.

Një vendim i tillë është kritikuar edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Shëndetësisë së këtij shteti ka kërkuar nga Kosova rishikimin e këtyre masave, raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

LAJMI I FUNDIT: Qeveria merr vendim, këto janë masat e reja anti-COVID

Protesta kundër masave të Qeverisë së Kosovës në Morinë, Policia i ndalon dy organizatorët