Shkëmb Manaj, djali i veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shaban Manaj, ka kërkuar që Gjykata Speciale të trajtojë rastet e vrasjeve me motive politike që përfshihen në mandatin e saj, deri në përfundim të tij.
Në Debat Plus në TV Dukagjini, Manaj ka thënë se Gjykata Speciale ende ka mandat dhe se familjarët presin që këto raste të trajtohen në përputhje me kompetencat që ia përcakton ligji.
“Gjykata Speciale ende ka mandat dhe ne vlerësojmë që duhet t’i trajtojë rastet deri në përfundim të mandatit të saj”, ka deklaruar ai.
Manaj ka theksuar se, bazuar në atë që është paraqitur nga kryetari i kolegjit gjatë shpalljes së aktgjykimit (në rastin kryesor në Hage), në të janë përfshirë vrasjet deri në qershor të vitit 1999. Megjithatë, ai ka rikujtuar se Ligji për Dhomat e Specializuara përcakton juridiksion kohor deri më 31 dhjetor 2000.
“Mbi bazë të asaj që është paraqitur në fjalën e kryetarit të kolegjit në këtë aktgjykim janë përfshirë vrasjet deri në qershor të vitit 1999. Me Ligjin për Dhomat e Specializuara, kjo gjykatë ka marrë mandat t’i trajtojë edhe vrasjet me motive politike deri në dhjetor të vitit 2000. Dhe ne presim që këto raste të trajtohen në bazë të mandatit që e kanë me ligj”, ka thënë Manaj.

