FC Malisheva është një nga skuadrat që po aplikon futbollin më të bukur këtë sezon në futbollin kosovar, si në Superligën e Kosovës, ashtu edhe në Kupë.
Qendrim Kida, trajneri i këtij ekipi simpatik ka theksuar se është tejet i lumtur me paraqitjet e futbollistëve të tij. Malisheva këtë vit ka ‘befasuar’ të gjithë – pasi momentalisht ndodhet në vendin e katërt në Superligë, dy pikë larg vendit të tretë, që dërgon në Europë, si dhe ndodhet ende në garë për Kupën e Kosovës.
Kida thotë se kishte besim se do ta bënin një sezon kaq të mirë – pasi i njeh futbollistët dhe e di kualitetin e madh të tyre.
“Jam shumë i kënaqur me ecurinë dhe rezultatet, kam pas shumë besim që mundemi me bë një sezon të mirë me këta djemë, kemi punu shumë dhe rezultatet janë ato që na gëzojnëm por njëkohësisht dhe na detyrojnë që me vazhdu me punë edhe më shumë”, tha fillimisht Qendrim Kida për ‘GazetaBlic Sport’.
Trajneri i Malishevës i jep meritat edhe kryesisë së klubit, teksa thotë se objektivi i tyre i vetëm është vazhdimësia me paraqitje të mira.
“Merita të mëdha kanë edhe Presidenti dhe drejtorët për një menaxhim të jashtëzakonshëm – këto tri vite kanë defilu shumë lojtarë, veç nga viti i fundit janë largu një mori lojtarësh, por që boshti kryesor ka mbetur dhe se janë shumë mirë të harmonizuar e komponuar dhe janë futbollistë shumë cilësorë. Objektivi – është vetëm vazhdimësia e ndeshjeve të mira dhe përkushtimi në punë”, vazhdoi Kida.
Në Kupë, Malisheva do ketë punë të vështirë, pasi këtë javë do përballet me Ballkanin, kampionin aktual të Kosovës. Kida beson se skuadra e tij do ketë paraqitje të mirë edhe në këtë sfidë.
“Shorti na takoj me njerën prej ekipeve më të mira vitet e fundit – ne e dijmë cilësinë e tyre, por do të mundohemi t’i mposhtim, sepse luajmë në shtëpinë tonë dhe dëshirojmë që edhe t’i gëzojmë tifozët tanë”, potencoi Kida.
Në fund, trajneri i Malishevës, Qendrim Kida tha se është kënaqësi për të që të punojë me futbollistët si Drilon Hazrollaj e Arlind Veliu (e të tjerë). Ai thotë se këta futbollistë e kanë të ardhmen në skenën europiane.
“Hazrollaj e Veliu dhe disa lojtarë tjerë të ri, janë me shumë potencial dhe që do të shfaqen ne të ardhmen, por këta të dy kanë një pontencial të jashtëzakonshëm – është kënaqësi puna me ta, mënyra se si ata stërviten dhe interpretojnë brenda lojës është mahnitëse dhe e sigurtë që ata do të kenë një të ardhme Europiane”, përfundoi Kida.
/GazetaBlic Sport