Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka vlerësuar ecurinë e Kosovës në ndërtimin e institucioneve shtetërore, duke veçuar zhvillimet në demokraci, sundimin e ligjit dhe sigurinë.
Malaj ka shprehur vlerësim të veçantë sidomos për Policinë e Kosovës, të cilën e ka cilësuar si një institucion të rëndësishëm për garantimin e sigurisë së qytetarëve.
“Unë personalisht gjatë kësaj kohe e përvoje këtu vlerësoj në mënyrë të jashtëzakonshme Policinë e Kosovës. Kam një respekt të admirueshëm për policinë si një moment të rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve në Kosovë, për lëvizjen e lirë të tyre e gjithçka që buron nga detyrat e tyre”, ka deklaruar Malaj.
Ai ka vlerësuar edhe funksionimin e Doganave dhe Administratës Tatimore, duke theksuar rolin e këtyre institucioneve në mbledhjen e të hyrave dhe mbushjen e arkës së shtetit.
“Mos të harrojmë se këto institucione në fund të fundit çojnë të ardhura në arkën e shtetit. Dhe Kosova në një moment të caktuar nëse ndihet mirë, ndihet falë punës së mirë që bëhet në këto institucione”, ka thënë ambasadori Malaj në Rubikon.

