Rreth orës 17:40 të së shtunës 3 shtetas rus kanë tentuar të hyjnë në uzinën e armëve në Gramsh.
Gazetari i Euronews Albania Xhensil Shkëmbi raportoi mëngjesin e së dielës nga uzina e armëve në Gramsh, ku një nga banoret e zonës rrëfeu çfarë kishte parë një ditë më parë.
Fatmira Shaipi, banesa e të cilës ndodhet shumë pranë uzinës, tregoi se makinën me të cilën lëviznin shtetasit rus e kishte parë të paktën 2 herë gjatë ditës së djeshme.
“Makinën e kam parë dy herë dje, një herë para shiut një herë pas shiut. Kur dolëm, pamë që bërtisnin ushtarët të cilëve u kishte ikur i huaji (rusi)”, tregoi banorja e zonës.
Ajo tregoi se shtetasi rus që u kishte hedhur spraj ushtarëve të uzinës dhe më pas ishte kapur prej tyre, ishte i veshur me pantallona të shkurtra, kapele dhe çantë.
Në ish-uzinën e Gramshit nuk lejohet hyrja e civilëve, ndaj ushtarët i kanë kërkuar dokumentet shtetasit të huaj, por ky i fundit ka hedhur spraj në drejtim të ushtarit duke e neutralizuar.


