Lajme

Lufta dhe Paqja e Albin Kurtit- Tema e radhës e “Expose”

01/28/2024 16:24
nga:Gazeta Blic

Fiks para një muaji, në një konferencë për media, kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte paralajmëruar sulme të reja nga Serbia, gjegjësisht nga Milan Radojqiq, i cili muaj më parë ishte futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Blic.

Megjithatë, ky nuk ishte paralajmërimi i vetëm i Kurtit.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti fjalën që e ka përdorur më së shumti thuajse përgjatë vitit 2023, ka qenë “lufta” e mundshme me Serbinë.

Ai në secilën konferencë për media, në secilën intervistë për mediat e huaja, e ka përmendur mundësinë e një sulmi nga ana e Serbisë.

Ai në vazhdimësi ka paralajmëruar se shteti fqinj- Serbia në çdo moment mund ta sulmoj shtetin e Kosovës.

Sidomos, pas rastit të Banjskës, ku më 24 shtator të vitit të kaluar një grup terrorist serb- në krye me Milan Rdojçiqin, sulmuan Policinë e Kosovës, me ç’rast mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, kryeministri vazhdimisht ka ngritur alarmin për sulme të reja.

Por, nuk është vetëm Kurti ai i cili po paralajmëron mundësinë e një rreziku të sulmeve nga ana e Serbisë.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani por edhe zyrtarë të lartë qeveritarë në vazhdimësi kanë ngritur alarmin për një sulm të mundshëm nga ana e shtetit fiqnjë.

Megjithatë, nga opozita po theksojnë se këto deklarata të Kurtit janë një përpjekje për të kamufluar dështimin në qeverisjen e brendshme dhe bllokadën që tashmë sipas tyre ka ndodhur në procesin e dialogut me Serbinë.

Ndërkohë, njohësit e ekonomisë po vlerësojnë se deklaratat e tilla i shkaktojnë dëme shumë të mëdha vendit.

Sipas tyre, këto deklarata i trembin investitorët e huaj, duke goditur ekonominë e vendit.

Emisioni dokumentar “Expose” këtë javë trajton alarmanin e Kurtit për sulme të reja nga Serbia.

”Expose” transmetohet sonte nga ora 21:30 në Kanal 10 dhe live në Youtube.