Ramiz Lladrrovci, ka reaguar për numërimin mbrapa të vendosur në Sheshin e Prishtinës, duke e cilësuar atë si simbolikë për padrejtësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrrovci ka thënë se numërimi paraqet ditët, orët, minutat dhe sekondat që ndajnë nga vendimi për çlirimin e tyre.
Ai ka kritikuar edhe bllokadën institucionale në Kosovë, duke thënë se vendi duhet të ecë përpara me themelimin e Kuvendit dhe Qeverisë, si dhe me zgjedhjen e Presidentit.
“Bllokada në shtetin demokratik nuk është opsion”, ka shkruar Lladrrovci.
Sipas tij, kjo situatë është mesazh i keq edhe për shtetet aleate që e kanë ndihmuar Kosovën në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit.
Në fund, Lladrrovci ka bërë thirrje që të nisë numërimi mbrapa 24-orësh për krijimin e institucioneve, duke theksuar se Kosova dhe heronjtë e saj meritojnë më shumë.


