Lajme

Ligji për konfiskimin e pasurisë, Shala: Ky sistem mund të përdoret për persekutime politike!

01/05/2022 21:23
nga:Y I

Hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me Ligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, miratuar nga Qeveria Kurti, raporton Gazeta Blic.

Shala ka thënë se sa i përket aspektit të prezumimit të pafajësisë, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kthimi i barrës së provës nga një institucion i përcaktuar me ligj tek subjekti i verifikimit nuk paraqet shkelje të gjykimit të drejtë.

“Sa i përket aspektit të parimit të prezumimit të pafajësisë, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kthimi i barrës së provës nga një institucion i përcaktuar me ligj tek subjekti i verifikimit nuk paraqet shkelje të gjykimit të drejtë. Si rrjedhojë, nuk paraqet shkelje edhe të parimit të prezumimit të pafajësisë, si një ndër elementet kruciale të gjykimit të drejtë. Sipas kësaj gjykate, subjektit të verifikimit duhet që ti ipen garanci të mjaftueshme procedurale për të kundërshtuar pretendimet e institucionit të përcaktuar me ligj, përkatësisht për të provuar se pasuria e tij është e justifikueshme”

Ai ka theksuar se Buroja, do të bëjë një hetim administrativ për të gjetur nëse ka mos përputhje të pasurisë dhe nëse gjenë këtë mos përputhje, ajo më pas do ta inicoj rastin në Gjykatë

“Në bazë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Byroja do të bëjë një hetim administrativ për të gjetur nëse ka mos përputhje të pasurisë dhe nëse gjenë këtë mos përputhje, ajo më pas do ta inicoj rastin në Gjykatë. Në Gjykatë, subjekti të cilit i verifikohet pasuria do të ketë mundësi të kundërshtoj pretendimet e Byrosë dhe të argumentoj se pasuria e tij është e ligjshme. Për më tepër, në kuptim të bartjes së barrës së provës, në Kosovë që nga viti 2013 ekziston Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, i cili e bartë barrën e provës tek subjekti që i verifikohet pasuria, por se sipas këtij ligji, kjo ndodh vetëm kur ndaj të njëjtit ka një dënim të formës së prerë, për vepra të përcaktuara penale. Andaj, në parim, IKD vlerëson se bartja e barrës së provës tek subjekti i verifikimit të pasurisë nuk paraqet shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë”

Shala ka theksuar se IKD ka qenë pjesë e grupit punues për draftimin e këtij projektligji.

Ai potencoi se që në fazën e draftimit të Koncept-Dokumentit përkitazi me këtë ligj, IKD kishte kundërshtuar vendosjen e sistemit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ai thotë se në fazën në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë kosovare, ky sistem mund të përdoret për persekutime politike.

“Në anën tjetër, IKD ka qenë pjesë e grupit punues për draftimin e këtij projektligji. Qysh në fazën e draftimit të Koncept-Dokumentit përkitazi me këtë ligj, IKD kishte kundërshtuar vendosjen e sistemit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Në stadin në të cilin gjendet sistemi kosovar i drejtësisë, ky sistem më tepër mund të përdoret për persekutime politike apo personale se sa që mund të jap efekte praktike. Bazuar në raportet ndërkombëtare, sistemi kosovar i drejtësisë konsiderohet lehtë i ndikueshëm nga politika. Këtë deklarim e ka potencuar vazhdimisht edhe partia në pushtet. Ndërsa, me këtë projektligj, po këtij sistemi po i ipet edhe një kompetencë shtesë, ajo e vendosjes mbi justifikueshmërinë e pasurisë së personave, procedura ndaj të cilëve iniciohet nga Byroja. Sipas projektligjit të miratuar, në sferën e personave pasuria e të cilëve mund të verifikohet nga Byroja, hyjnë të gjithë zyrtarët publik, personat e ekspozuar politikisht, familjarët e tyre dhe personat e tretë”

Ai ka bërë të ditur se IKD do të dërgoj komente në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me rastin e shqyrtimit të këtij projektligji.

“Në këtë mënyrë, numri i qytetarëve që potencialisht mund të jenë subjekt i verifikimit nga ana e Agjencisë është mbi 100.000. Ky numër paraqet pamundësi objektive për Byronë që të verifikojë secilin prej tyre. Si rrjedhojë, paraqitet një rrezik i madh për qasje selektive nga Byroja dhe për “luftë shtrigash”.Sa i përket mënyrës së miratimit të këtij projektligji, IKD e sheh si shumë shqetësuese që për një ligj kaq voluminoz, të rëndësishëm dhe që në jo pak raste prek sigurinë juridike dhe të drejtat e njeriut, Ministria e Drejtësisë ka shkurtuar afatin e konsultimeve publike, duke mos dhënë mundësi për draftimin dhe dërgimin e komenteve meritore. Sidoqoftë, për të gjitha këto, IKD do të dërgoj komente në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me rastin e shqyrtimit të këtij projektligji nga ky institucion” tha Shala për “Gazeta Blic”.

Sipas këtij projektligji, do të mjaftojë një shpërputhje mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, që Byroja të fillojë procedurën për të konfiskuar pasurinë e zyrtarit.

/Gazeta Blic/

Ish-profesori i Juridikut: Kur administrata futet në ndarjen e drejtësisë, shteti merr formën e diktaturës!

Ekskluzive: Ligji për konfiskimin e pasurisë- nuk do të vlejë prezumimi i pafajësisë dhe barra e provës do të bie mbi palët e jo mbi Byron