Qeveria Kurti ka miratuar Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Gazeta Blic.
Në këtë projektligj parashihet hetimi i pasurisë së zyrtarëve publik që nga periudha e pasluftës.
Hetimi do të vlejë deri në 10 vjet, nga momenti që një individ nuk ushtron më funksionin e caktuar publik.
Sipas projektligjit në fjalë, do të mjaftojë një shpërputhje mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, që Byroja të fillojë procedurën për të konfiskuar pasurinë e zyrtarit.
“Gazeta Blic” ka kontaktuar me subjektet opozitare për t’u njohur me qëndrimet e tyre rreth këtij Ligji.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriajaj, tha se pas leximit të amendamenteve të këtij Projektligji në komisione parlamentare, do të dalin me një qëndrim.
“Projektligjet që vijnë kalojnë procedurat parlamentare, komisionet parlamentare. Ne në komisione parlamentare pas leximit dhe sipas amandamenteve do ta shohim a do ta pëkrahim apo jo. Derisa nuk e kemi parë, nuk e kemi trajtuar këtë çështje’ tha Kadrijaj për “Gazeta Blic”
Përgjigje të njëjtë kanë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar Abelard Tahiri, tha për “Gazeta Blic” se ende nuk ka shku Ligji në parlament dhe se nuk e kanë parë akoma draftin.
Ai u shpreh se në momentin që e shohin draftin do të dalin me një qëndrim.
Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës u shprehën pro një Ligji të tillë.
Deputetja e këtij subjekti politik, Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha për “Gazeta Blic” se ata janë pro konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
“Na gjithçka çfarë është e ligjshme ne e përkrahim. Nëse ata duan të konfiskonë pasurinë e paligjshme të zyrtarëve, lirisht le ta bëjnë, ne jemi për konfiskim. Pa marrë parasysh, ne ende nuk e kemi diskutuar në grupin e deputetëve dhe ende ska ardhë në parlament. Pasi vjen në Parlament, ne japim mendimin tonë, sepse varet se çfarë ka në atë Projektligj, pasi ka shumë amandamente dhe varet si janë ato” tha Bunjaku-Rexhepi për “Gazeta Blic”
Hulumtuesi në IKD, Gëzim Shala, deklaroi dje për “Gazeta Blic” se në fazën në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë kosovare, ky sistem mund të përdoret për persekutime politike.
“Në anën tjetër, IKD ka qenë pjesë e grupit punues për draftimin e këtij projektligji. Qysh në fazën e draftimit të Koncept-Dokumentit përkitazi me këtë ligj, IKD kishte kundërshtuar vendosjen e sistemit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Në stadin në të cilin gjendet sistemi kosovar i drejtësisë, ky sistem më tepër mund të përdoret për persekutime politike apo personale se sa që mund të jap efekte praktike”
“Bazuar në raportet ndërkombëtare, sistemi kosovar i drejtësisë konsiderohet lehtë i ndikueshëm nga politika. Këtë deklarim e ka potencuar vazhdimisht edhe partia në pushtet. Ndërsa, me këtë projektligj, po këtij sistemi po i ipet edhe një kompetencë shtesë, ajo e vendosjes mbi justifikueshmërinë e pasurisë së personave, procedura ndaj të cilëve iniciohet nga Byroja. Sipas projektligjit të miratuar, në sferën e personave pasuria e të cilëve mund të verifikohet nga Byroja, hyjnë të gjithë zyrtarët publik, personat e ekspozuar politikisht, familjarët e tyre dhe personat e tretë” tha Shala për “Gazeta Blic”
Ligji për konfiskimin e pasurisë, Shala: Ky sistem mund të përdoret për persekutime politike!
“Ligji për konfiskimin e pasurisë”, si do të mund të hetohet pasuria e diasporës?


