Sporti

Lëndohet Kastriot Rexha, nesër mësohet nëse sulmuesi ka dëmtim të rëndë

04/19/2021 17:40
nga:Lorik J

Skuadra e Dritës po lufton për t’u bërë kampione e Superligës së Kosovës në futboll për vitin e dytë me radhë.

Megjithatë, kjo nuk është “lufta” e vetme e Dritës këtë stinor, shkruan GazetaBlic Sport.

Klubi nga Gjilani, FC Drita këtë stinor ka pasur probleme të shumta me dëmtimin e lojtarëve kyç.

Lojtari i fundit i Dritës i cili ka pësuar dëmtim është Kastriot Rexha, i cili është një nga sulmuesit më të mirë në Superligën e Kosovës.

Drejtori i klubit të Dritës, Valon Zymberi ka potencuar se lëndimi i Rexhës fillimisht duket serioz, megjithatë duhet të presin kontrollen e ardhshme mjekësore, për të kuptuar saktësisht dëmtimin e sulmuesit.

“Lëndimi duket serioz pas rezonancave të para, mbetet të shihet edhe nesër pasi lojtari ka një kontroll të radhës e cila do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë shkallën e dëmtimit të tij”, tha Valon Zymberi për ‘GazetaBlic Sport’.

Në lidhje me dëmtimin, ka folur edhe vet futbollisti, Kastriot Rexha, i cili e konfirmoi dëmtimin, por ende nuk e di se sa do të jetë jashtë fushave.

“Po, jam dëmtuar, megjithatë ende nuk e di se a është dëmtim i rëndë”, tha shkurtimisht Rexha.

Vlen të potencohet se Drita ndodhet në vendin e parë në renditjen tabelare me 64 pikë, tri më shumë se Ballkani dhe katër më shumë se Prishtina, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro për të përfunduar kampionati.

/GazetaBlic Sport