Vedat Muriqi po kalon një nga sezonet më të mira në karrierën e tij. Sulmuesi kosovar ka shkëlqyer këtë stinor me ekipin spanjoll, Mallorca, ku ka realizuar 12 gola dhe 2 asistime në 27 paraqitje. Golat dhe anagazhimi i tij i madh tek Mallorca ka ndikuar që ai të jetë i preferuari i tifozëve të klubit spanjoll.
Muriqi përveç tifozëve ka arritur të bëjë përvete edhe legjendat e klubit të Mallorcas. Francisco Soler Atencia i njohur si Paco Soler ose “Chichi” Soler është lojtari që admiron sulmuesin kosovar, Vedat Muriqi dhe stilin e tij të lojës.
Soler është legjendë e klubit të Mallorcas, teksa është në mesin e futbollistëve me më së shumti paraqitje në historinë e këtij klubit, me gjithsej 408 ndeshje të luajtura për Mallorcan.
“Chichi” thotë se Muriqi ka treguar shumë karakter, ka luajtur mirë dhe ka bërë të lumtur tifozët, teksa ai shton se kosovari mund të bëhet nga më të mirët në La Liga.
“Për mendimin tim që nga dita e parë që u bashkua me klubin ai ka treguar një përkushtim të madh dhe e di se sa të rëndësishme janë cilësitë e tij njerëzore dhe sportive për lumturinë e të gjithë tifozëve, madje edhe për klubin. Unë me të vërtetë besoj se ai do të bëhet një nga lojtarët më të mirë në ligën spanjolle të futbollit (La Liga)”, tha Paco Soler për ‘GazetaBlic Sport’
53 vjeçari dëshiron që Muriqi të jetë pjesë e Mallorcas edhe për një kohë të gjatë, por thotë se nuk do të mërzitej, por do ishte krenar edhe nëse largohet për një klub më të madh.
“Unë i urojë gjitha të mirat Vedat Muriqit. Shpresoj që ai të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë, por do të jem vërtet krenar për të edhe nëse një ditë duhet të largohet dhe të jetë i suksesshëm në një klub tjetër”, përfundoi Paco Soler.
Aktualisht Vedat Muriqi është golashënuesi i gjashtë më i mirë në La Liga me 12 gola, teksa ka shënuar më shumë se yjet si Griezmann, Morata e Raphinha.
/GazetaBlic Sport


